E Diel, 1 Nëntor 2026

U-21, Shqipëri – Maltë 1-2Shenon Januzi, Karabeci humb penallti.

Shqipëria U-21 humbi 1-2 me Maltën në miqësoren e zhvilluar në “Niko Dovana” (rreth 200 shikues), në një ndeshje shumë ta varfër nga emocionet, përveç momenteve të golave të Januzit për Kombëtaren tonë e Çirkopit e Faruxhias për Maltës, e sidomos therëse ishte humbja e penalltisë nga ana e Karabecit për Shpresën tonë.

Pjesa e parë ishte thuajse nën dominimin e Shpresës sonë, që shpërdoroi dy-tri mundësi të mira, përveç momenteve të penalltisë së humbur nga Karabeci e golit të Januzit, ndërkohë që në të dytin thuajse formacioni i drejtuar nga Bushati-Pano, ishte inekzistent në fushë.

Momenti i parë kulmor (dhe njëherësh fatkeq) erdhi në minutën e 22-të, kur mesfushori i Partizanit, Erando Karabeci (lojtari që i dha fitoren Shqipërisë U-21 në ndeshjen me Gjeorgjinë U-21) u tregua i pasaktë, kur nuk arriti të shënojë nga pika e bardhë, pasi portieri maltez Henri Bonello (luan për Sliemën) e priti sferën.

Gjithsesi, gabimin e korrigjoi Ahmed Januzi, kur sulmuesi i Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas shënoi në minutën e 35-të. Avantazhi i djemve të Artan Bushatit rezistoi vetëm katër minuta. Gjyqtari ndërkombëtar i FIFA-s, Sokol Jareci akordoi penallti për maltezët pas një faulli ndaj Bepe Muskatit. Çirkop, i cili luan me Tarxien në Maltë, nuk fali, duke barazuar shifrat e mbyllur 45 minutat e parë 1-1.

Për Shpresën tonë, përveç Januzit (autorit të golit), i cili ndërmorri disa kalime të shpejta, u dallua mesfushori i Tiranës, Sabien Lilaj, ndërkohë që edhe sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, dha disa sinjale të mira në sulm, kur në minutën e 62-të bëri disa veprime të bukura individuale brenda zonës, por topi i goditur prej goditi rrjetën e jashtme. 

Mbrojtja me Klodian Seminën, Ditmar Bicin, Polizoi Arbërin e Renato Mallotën ishte në një ditë pozitive, me përjashtim momentit të golave të pësuar.  Madje gjiganti Bici (ende pa ekip, stërvitet me Tiranën) rrezikoi në pjesën e parë, por pa mundur të shënojë, ashtu si Semina goditi nga larg në pjesën e dytë (60’), por Bonello e devijoi në goditje këndi. Edhe Malota në dy raste, 68’ e 87’, ishte afër golit.

Në pjesën e dytë Bushati hodhi në fushë Jozef Thanën (Teuta),  Odise Roshin (Flamurtari), Bekim Balën (Vllaznia), por pa pasur asnjë efekt në organizimin dhe shpejtësinë e aksioneve tona. Duhet nënvizuar se loja pati edhe ndonjë moment nervozizmi, teksa Jareci e nxorri disa herë kartonin e verdhë si për ekipin tonë ashtu dhe atë maltez, kur mund të ndëshkonte ndonjë maltez (Xhozef) edhe me karton të kuq.

Në minutën e 70-të, një aksion model i maltezëve midis dy lojtarëve të Sliemës, Terenc Vela e Miguel Ciantar, ky i fundit i dhuroi një asist perfekt për kapitenin Tirron Farruxhia, që vetëm sa e shtyu topin në rrjetë. Shqipëri-Maltë 1-2. Nuk ka ku të shkojë më keq. Momenti i fundit i mirë për Shqipërisë ishte ai i minutës së 90-të, kur pas ekzekutimit të një goditje të lirë (rreth 20 metra), Bici goditi shumë metra mbi shtyllën horizontale.

Më 5 shtator, po në “Niko Dovana”, Shqipëria U-21 do të presë Azerbajxhanin në ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian U-21 2011. Në dy takimet e para, Shpresa jonë i ka humbur të dyja ndeshjet me Skocinë: 0-1 në Elbasan dhe 5-2 në Falkirk.

E Merkure, 12 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›