E Diel, 1 Nëntor 2026

U-21, Shqipëria shkatërron 3-0 Maqedoninë Hysa (18’), Vila (45’) e Arbëri (80’) ishin autorët e golave. Të pranishëm në stadium ishte edhe zëvendëspresidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Rexhep Bexheti si dhe presidenti i Gramozit

Reshat Ibrahimi, Dash Frashëri (Shkup, Tiranë) - Shqipëria U-21 arriti një fitore të shkëlqyer 3-0 kundër homologes nga Maqedonia, në miqësoren e zhvilluar në stadiumin "Biljanini Izvori" në Ohrit, në një kohë të ftohtë dhe me shi.

Mesfushori sulmues Vilfor Hysa i Teutës në minutën e 18-të realizoi një gol të bukur, duke kaluar mbrojtjen kundërshtare e më pas edhe portierin. Në limitin e pjesës së parë ishte Emiljano Vila, po i Teutës ai që dyfishoi rezultatin për kuqezinjtë e Artan Bushtatit.

Golin e tretë për Shpresat tona e realizoi dhjetë minuta përpara përfundimit sulmuesi i Lushnjës, Polizoi Arbëri (80’), që shfrytëzoi një depërtim të bukur të Enco Malindit.

Të pranishëm në stadium ishte edhe zëvendëspresidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Rexhep Bexheti si dhe presidenti i Gramozit të Ersekës, Mustafa Taçi.

Trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati u shpreh në mënyrë diplomatike pas ndeshjes për mediat: “Me rëndësi kishte zhvillimi i takimit. Rezultati nuk ishte në plan të parë as për mua e as për trajnerin kundërshtar. Jemi në fazën e ndërtimit të lojës dhe besoj se kjo ndeshja na ka shërbyer mjaft mirë. I kam bërë një ftesë U-21 të Maqedonisë të zhvillojë një miqësore në Shqipëri".

Nga ana e tij, trajneri i Maqedonisë U-21 nuk e fshehu pakënaqësinë për rezultatin dhe lojën e futbollistëve të tij: “Rezultati ishte i thellë Fitorja ishte e merituar nga ana e miqve, të cilët kanë dominuar në lojë. Unë kam lojtarë të rinj që pak i njoh, por me lojtarët tjerë që nuk kanë qenë të ftuar shpresoj se do të krijojmë skeletin e ekipit”.

Në radhët e ekipit maqedonas ishin edhe katër futbollistë shqiptarë: Shabani, Selmani, Ibrahimi e Tahiri. 

Shqipëria në një farë mënyre u hakmor për atë humbje 1-0 në Vlorë (6 shkurt 2008) me maqedonasit e Mirsad Jonuz (gol i Gligorov, në të 34’), por me sa duket toka maqedonase është e mbarë për formacionin U-21 të Bushatit, pasi edhe në ndeshjen e 28 marsit të vitit 2007, Shqipëria fitoi 1-0, falë golit të Vangjel Miles (75’)

E Merkure, 19 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›