U akuzua për korrupsion, lirohet pas 9 muajsh burg ish-zv.ministri Jaka
Vendimi
Dy javë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 20 ditë burg ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, ky i fundit ka lënë qelinë ditën e djeshme. Kjo gjykatë ka shuar ditën e djeshme masën e sigurisë ndaj Jakës, duke i hapur rrugë kështu lirimit të tij nga burgu 302, në të cilin mbahej i izoluar ish-zëvendësministri i Transporteve. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës së kryeqytetit, Jaka, i cili u prangos në një nga operacionet më të bujshme, “Duart e Pastra”, është lënë i lirë, duke qenë se dënimi i tij ka përfunduar ditën e djeshme. Kështu, pasditen e djeshme, Nikolin Jaka ka lënë qelinë e burgut 302, në të cilin u mbajt i izoluar për afro 9 muaj, pasi u dënua me 1 vit e 20 ditë burg, si dhe me një gjobë prej 500 mijë lekësh nga gjykata, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Bashkë me ish-zëvendësministrin e Transporteve, kjo gjykatë dënoi edhe 4 ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie: Ilir Berzanin, Xhevahir Muçogllavën, Bashkim Kamberin dhe Arjan Shetin, si dhe dy biznesmenët Skënder Bokçiun dhe Isuf Ukperajn, të cilët u prangosën bashkë me Jakën gjatë operacionit “Duart e Pastra”. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet i dënoi ata me vetëm 8.7 muaj burg së bashku, gjysmën e asaj që kishte kërkuar organi i akuzës dhe duke qenë se ata u proceduan me gjykim të shkurtuar, pritet të dalin nga burgu, pasi iu ka përfunduar afati i dënimit.
Ish-zyrtarët e lartë që akuzoheshin për korrupsion dhe që u shpallën fajtorë për këtë akuzë nga gjykata, mësohet se përfitonin 10 për qind të fondit për çdo tender të fituar nga firmat, me të cilat kishin bërë paraprakisht një pakt. Akuzat për të cilat u shpallën fajtorë ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve janë ato të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë gjatë pjesmarrjes në tendera” dhe “Korrupsionit aktiv”. Ndërkohë, mbi ish-zëvendësministrin e Transporteve, Nikolin Jaka, rëndonte vetëm akuza e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike.