E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli "dështon" imunitetin e Mediut

Berisha kërcënon deputetët e mazhorancës: Mocioni ndaj Topallit, mocion ndaj qeverisë!

Berisha kundër Topit: Për  dekretet, konsulta me Kuvendin

TIRANË- Nuk ka preferuar që të flasë për mediat, por e ka thënë troç në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke shënuar përplasjen e parë institucionale mes Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Kryeministri Sali Berisha ka reaguar më tone kritike ndaj qëndrimit të Presidentit lidhur me dekretet e këtij të fundit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kryeministri Berisha ka marrë spunton nga një kërkesë e deputetit Luan Skuqi, i cili ka kërkuar shpjegime për debatin më të fundit që ka lindur mes Topallit dhe Topit. Kësaj here krejt hapur, kryeministri Sali Berisha është pozicionuar kundër Topit duke u shprehur se është hera e parë që një President i Republikës nuk konsultohet me përfaqësues të mazhorancës, por edhe të opozitës, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Kjo s’ka ndodhur në asnjë rast, që, për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Presidenti të mos bashkërendojë me Kuvendin”,- mësohet të jetë shprehur Berisha. Megjithatë, Kryeministri ka theksuar se kjo situatë mund të zgjidhet vetëm me një dialog midis institucioneve. Për këtë qëllim, në emër të grupit parlamentar demokrat, ai ka autorizuar kryesinë e këtij grupi që të hyjë në bisedime me kreun e shtetit, për të gjetur një zgjidhje të butë që do t’i jepte fund konfliktit institucional. Në këtë mënyrë, kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi dhe nënkryetari Ilir Bano pritet që të nisin sa më parë negociatat me kreun e shtetit, Bamir Topi, përpara se të kalojnë afatet ligjore për miratimin e pesë kandidaturave për anëtar të Gjykatës së Lartë në Kuvend. Megjithatë, përpos kërkesës së Berishës, në fakt, askund nuk është e shkruar që Presidenti duhet të konsultohet me përfaqësues të forcave politike.

Vendimi

Ashtu si edhe Topalli, kryeministri Berisha e ka mbështetur qëndrimin e tij në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 ku ndër të tjera thuhet se, “Kuvendi i Shqipërisë në rastet e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ka kompetencë të shqyrtojë jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por të shqyrtojë edhe meritën e emërimit të tyre”. Por, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është mbështetur pikërisht në nenin 136, të Kushtetutës, ku në pikën e parë të saj thuhet se, “anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit”. Pikërisht për këtë të fundit, Topi është shprehur se Kuvendi e jep pëlqimin përmes votës “po” ose “jo”. Pra, dhënia e pëlqimit në këtë rast nuk nënkupton mbledhje të dhënash për kandidatët. Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, Kreu i Shtetit kujtoi edhe Rregulloren e Kuvendit, ku një nen i këtij dokumenti e shpjegon qartë se çfarë hapash ndiqen kur kërkohet pëlqimi i Kuvendit. Kështu, në bazë të nenit 111, pika 6, thuhet se, “në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore”, përmbajtja e së cilës në fakt nuk është zbatuar deri më tani nga Kryetarja e Kuvendit, e cila ka marrë përsipër të kërkojë informacione nga të gjithë organet kompetente lidhur me të kaluarën e anëtarëve të dekretuar nga presidenti Topi.

Mocioni

Duke shpjeguar qëndrimin e tij, Berisha nuk ka lënë pa anashkaluar edhe mocionin që po përgatitet nga PS kundër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Duke iu trembur pikërisht bashkimit të disa votave të mazhorancës me ato të opozitës, kryeministri Berisha e ka justifikuar iniciativën në fjalë, si një tentative për të përçarë mazhorancën. Pikërisht, nga frika e një çarjeje të mundshme si rezultat i qejfmbetjeve që Topalli mund të ketë krijuar tek disa deputetë të mazhorancës, Berisha ka paralajmëruar se mocioni kundër Topallit është mocion kundër qeverisë. “Ajo që duket hapur në këto zhvillime, është fakti se ky nuk është mocion kundër Topallit, por kundër qeverisë. Prandaj, ajo që na nevojitet në këto momente natyrisht është shqyrtimi i saj me qetësi dhe duke synuar arritjen e një konsensusi”,- mësohet të jetë shprehur Berisha, duke i vënë deputetët para një fakti të kryer se vota kundër Topallit, është votë kundër qeverisë.

PS do të fillojë negociatat edhe me deputetë të partive të tjera. Leskaj: “Mocioni është akt politik”

PS, grup pune për mocionin kundër Topallit

TIRANË- Partia Socialiste ka nisur konkretizimin e nismës së saj për mocion mosbesimi ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Sekretariati ekzekutiv, Kryesia dhe më pas grupi kuvendor socialist kanë marrë në shqyrtim dje njëri pas tjetrit, çështjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe atë të dekreteve të presidentit Bamir Topi për 5 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Burime pranë selisë rozë bënë të ditur se, tre forumet e larta drejtuese të kësaj force kanë vlerësuar si të patolerueshme sjelljen dhe qëndrimin e Kryeparlamentares ndaj këtyre dy çështjeve, duke bërë përgjegjëse atë për bllokimin si të hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, ashtu edhe për mosplotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Nisur nga ky fakt, ato kanë parë si të pashmangshme ndërmarrjen e një nisme për paraqitjen në Kuvend të kërkesës për një mocion mosbesimi ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Për këtë arsye, Kryesia ka ngarkuar nënkryetarin e grupit Arben Isaraj që bashkë dhe me një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, të studiojnë hapësirat ligjore për shqyrtimin e përshtatshmërisë konstitucionale për një mocion ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Pas mbledhjes së grupit të deputetëve socialistë, kryetarja Valentina Leskaj theksoi për mediat se, PS është e detyruar të ndërmarrë për herë të tretë këtë nisëm ndaj Kryeparlamentares pasi ajo në mënyrë të përsëritur ka shkelur Rregulloren dhe Kushtetutën e vendit, gjatë drejtimit jo vetëm të seancave parlamentare, por në përgjithësi për vendosjen e marrëdhënieve me institucionet e tjera shtetërore, siç është në rastin konkret me institucionin e Presidentit, por edhe me opozitën. “Përsa i përket çështjes së mocionit për Topallin, kemi ngritur grup ekspertësh, që po shqyrton përshtatshmërinë ligjore e konstitucionale lidhur me këto dy çështje. Natyrisht, mocioni është akt politik që ne e kemi në proces, por nuk do të ndalemi vetëm te çështja e mocionit lidhur me këto dy probleme”,- u shpreh Leskaj. E pyetur nga media nëse PS i ka votat për këtë mocion të mundshëm, Kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj u shpreh se kjo nuk është një çështje llogarish matematikore, por standardesh dhe morali që duhet të ketë çdo politikan me detyrën që kryen. Ndërkohë që burime pranë PS-së kanë bërë të ditur dje për gazetën se gjatë kësaj kohe, përveç punës që do të zhvillojë grupi i juristëve për hartimin e kërkesës për mocion, do të punohet edhe në planin e arritjes së një bashkëpunimi me këtë çështje edhe me grupe dhe faktor të tjerë politikë që mund ta mbështesin këtë mocion. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se puna bindëse për të gjetur mbështetës për mocionin do të nisë paralelisht si me grupet dhe deputetët e opozitës, ashtu edhe me faktorë brenda mazhorancës, si me PDK-në apo edhe me mbështetësit e presidentit Topi në PD. Në këtë mënyrë, PS kërkon të shfrytëzojë pakënaqësinë që ka krijuar kryeparlamentarja Jozefina Topalli në një pjesë të mirë të deputetëve demokratë, me bllokimin që i ka bërë pesë dekreteve të presidentit Topi.

Kryeministri mandaton deputetin Biberaj të fillojë negociatat për ligjin e spiunëve

Ligji i spiunëve, PD nis negociatat me PS-në

TIRANË- Tre draftet për ligjin e spiunëve kanë kohë që qëndrojnë në zyrat e Kuvendit edhe pse një muaj më parë ishin parashikuar që të futeshin në programin e punës. Pikërisht dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka kërkuar që kjo çështje të risillet për diskutim, duke mandatar deputetin Aleksandër Biberaj që të negociojë me PS-në për hartimin e një drafti të përbashkët. Ai i ka kërkuar deputetit të PD-së, që, në bashkëpunim me PS-në, të nisë sa më parë punën dhe të përpunojë të tre draftet e paraqitura, për të nxjerrë një material të unifikuar. Kjo, edhe për faktin se tre projektligjet e mëparshme janë të vjetër dhe duhen bërë rregullime. Në fakt, prej dy vitesh, në zyrat e Kuvendit janë depozituar tre drafte për hapjen e dosjeve. Projektligji i parë, është i PD-së, që në thelb kërkon që subjekt i verifikimit të përgjithshëm, të jenë të gjithë zyrtarët dhe funksionarët publikë, të zgjedhur apo të caktuar, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji janë në marrëdhënie pune kryesisht në institucionet kushtetuese në vend. Drafti i PS-së, ka si objekt hapjen e Arshivave të Shërbimeve Sekrete Shqiptare, të para datës 31.12.1992, për të gjithë ata funksionarë të lartë shtetërorë, të parashikuar nga ky ligj, që vazhdojnë të mbajnë këtë funksion, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ai ka për qëllim vetëm publikimin e tyre. Funksionarët publikë që do të verifikohen, janë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, deputetët, ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të gjithë titullarët e organeve të tjera kushtetuese ose të organeve kolegjiale, të përcaktuara si të tilla nga Kushtetuta. Ndërsa, sipas draftit të PDK-së, ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë, por ndalohen që të zgjidhen në postet drejtuese të Shtetit Shqiptar.

Reagojnë Gjinushi dhe Ruçi për lëvizjen e Kryetares së Kuvendit kundrejt dekreteve

Gjinushi: Dekretet, Topalli shkeli ligjin

TIRANË- Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi e ka cilësuar antikushtetuese qëndrimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kundrejt dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ai ka deklaruar se Kuvendi e jep pëlqimin e tij përmes votës, bazuar kjo edhe në Rregulloren e Kuvendit. “Rregullorja është ajo që ne kemi sot dhe nuk dimë të ketë ndryshuar ndonjë pikë. Kuvendi shprehet me votë, sepse organi kolegjial nuk mund të shprehet me zë. Praktika e mëparshme në marrëdhëniet President-Kuvend duhet të vazhdojë. Qëndrimi që ju zonja Topalli po mbani, është antikushtetues dhe antiligjor, pasi keni bërë një shkelje ndaj të gjithë deputetëve”,- tha Gjinushi. Thuajse të njëjtin qëndrim ka mbajtur dje edhe deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi, i cili ka sqaruar pozicionin e PS-së kundrejt dekreteve të presidentit Topi. Ruçi ka deklaruar se, në këtë rast PS nuk është palë me Topin, porse respekton Rregulloren e Kuvendit. Ai ka kujtuar se Kuvendi e jep pëlqimin përmes votës së tij, dhe në rast se PD nuk është dakord për dekretet e Topit, atëherë ata duhet ta votojnë kundër, por jo të ndiqen veprimet e Topallit ndaj kësaj çështjeje. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit”. Sipas PS-së, dhënia e pëlqimit nuk do të thotë mbledhja e të dhënave për kandidatët, nuk do të thotë kërkim i provave të pafajësisë nga Kryetarja e Kuvendit, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me ligjin.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist flet për pasuritë e fituara nga kabineti qeveritar

Brace: Qeveria “Berisha” u pasurua me 1.5 milionë euro

TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe ka akuzuar dje qeverinë se është pasuruar në kurriz të shqiptarëve, duke mos bërë asnjë transparencë për pasurinë. Duke shqyrtuar pasurinë e qeverisë “Berisha”, bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë pranë Inspektoratit për vitin 2007, Braçe ka theksuar se pasuria e kësaj qeverie, vetëm për një vit është shtuar me 1.5 milionë euro. Përmes disa dokumenteve, Braçe ka informuar se disa ministra, apo edhe zv/ministra kanë përvetësuar troje dhe pasuri monetare. “Duke iu referuar deklarimit të pasurive të vitit 2007 të ministrave të qeverisë së z.Berisha, zv/ministrave, por edhe Drejtorit të KESH-it, rezulton se gjatë vitit 2007 kanë shtuar pasurinë me 1.5 milionë euro, ose 125 mijë euro në muaj. Do doja të thosha se qeveria e kryeministrit Sali Berisha për vitin 2007 u pasurua me 7 apartamente luksoze në zonat më të shtrenjta të Tiranës, apo plazheve më të bukura të vendit. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha u shtua me 42 llogari bankare në lekë, dollarë dhe euro, në Shqipëri si dhe jashtë saj. Qeveria e kryeministrit Sali Berisha u shtua me 3 raste me bono thesari, dhjetëra aksione në pasuri të paluajtshme, apartamente, troje dhe natyrisht makina. Qeveria e Kryeministrit u shtua me katër makina private nga më të shtrenjtat në tregun europian dhe, së fundmi, qeveria e Berishës në 10 raste hyri në borxhe në kredi”,- tha ndër të tjera Braçe. Në përfundim të fjalës së tij, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe tha se kjo qeveri nuk është aspak në dietë, ashtu siç është deklaruar në fillim.

Dekreti i Presidentit për legalizimet nuk ka kaluar për shkak të mungesës së theksuar të deputetëve të djathtë

Shtyhet dekreti për legalizimet, mungojnë deputetët e djathtë

TIRANË- Mazhoranca nuk ka mundur dje të kalojë ligjin e kontestuar të legalizimeve pas mungesës së theksuar të deputetëve të djathtë. Pas braktisjes së seancës nga ana e opozitës, Kryetarja e Kuvendit ka njoftuar vazhdimin e rendit të ditës, për kalimin e dekretit të Presidentit “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për legalizimet”. Pas leximit të relacionit të përgatitur nga ana e deputetit të PD-së, Ardian Kollozi, ku paraqitej mendimi i pakicës dhe i shumicës, Kryetarja e Kuvendit, ka kërkuar nisjen e procedurave për votimin e dekretit. Por në mungesë të numrit të duhur prej 71 deputetësh për të kaluar një ligj të tillë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi ka kërkuar 15 minuta pushim. Por kaluan më tepër se një orë dhe Kuvendi nuk u mblodh më për shkak se nuk ishte kuorumi i nevojshëm i deputetëve për të kaluar dekretin e Topit për legalizimet, që në përmbajtje të saj, vazhdon të jetë i kontestuar si nga opozita, ashtu edhe ish-pronarët. Kjo, sepse mazhoranca nuk mori parasysh një sërë propozimesh të detajuara nga ana e opozitës, të cilat preknin disa nene, ku pretendohej se ishin prekur kompetencat e pushtetit vendor. PS, ka propozuar që të hiqen nga drafti propozimi për shfuqizimin e neneve 11 dhe 14, të ligjit bazë, pasi, sipas socialistëve, kjo sjell shmangien nga vendimmarrja të KRRT-së në përcaktimin e kufirit të bllokut informal. Një ndërhyrje tjetër e PS-së , ka qenë edhe ajo për nenin 14, sepse në bazë të këtij neni, ALUIZNI nuk ka kompetenca për shitjen e pronës shtetërore, aq më tepër kur ajo hyn në juridiksionin e qeverisjes vendore. Gjithashtu, përfaqësuesit e majtë kanë kërkuar dhe ndryshimin e nenit 16, 17, 19, 24, 28, me argumentin se në të gjitha këto nene, në mënyrë të përsëritur, anashkalohet pushteti vendor nga procesi i legalizimit. Por të gjitha këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga përfaqësuesit e shumicës. Ndërkohë që i vetmi propozim që mazhoranca ka marrë parasysh nga amendamentet e paraqitura opozita ka qenë ai për ndryshimin e pikës “a” të nenit 7, të projektligjit të ri, pikë që ka përcakton se njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara, kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit. Ndërkohë që një tjetër ndryshim i bërë projektligjit të kthyer nga Presidenti, është edhe ai i përcaktimin të afatit 3-mujor për dëmshpërblimin e pronarëve të vjetër dhe dhënien e certifikatave të legalizimit banorëve të rinj.

Kërkesa për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut nuk përfshihet në kalendarin 6-javor të punës. 15 Korrik, Kuvendi mbyll punimet

Debati në Kuvend, imuniteti i  Mediut rrezikon të dështojë

TIRANË- Opozita është detyruar dje në mbrëmje që të lërë sallën e Kuvendit, pasi kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk ka pranuar që të fusë në kalendarin 3-javor dhe në programin 6-javor të punës së Kuvendit, votimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu dhe as dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Por përpara se të merrte vendimin për të braktisur seancën plenare, deputetët e majtë kanë debatuar ashpër me përfaqësuesit e mazhorancës dhe kryesisht me kryeparlamentaren Topalli për mospërfshirjen e këtyre dy çështjeve në axhendën e punës për 6 javët e ardhshme. Kjo në fakt, do të thotë se imuniteti i Fatmir Mediut realisht rrezikon të futet në kalendat greke. Në rast se do të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, i bie që pas 6 javësh, pikërisht në datën 15 Korrik, Kuvendi të mbyllë punimet, ndërkohë që neni 118, pika 6 e Rregullores, sqaron se në rast se Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Në rastin konkret, kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Mediut është paraqitur në mbledhjen e Këshillit të Rregullores në datën 28 Prill, çka do të thotë që në rast se nuk merret një vendim, atëherë në datën 28 Korrik (datë kur Kuvendi i ka mbyllur punimet) kjo çështje konsiderohet e rrëzuar. Megjithatë, deputetë të njohur në fushën e jurisprudencës sqaruan dje për “Shekullin” se, kur bëhet fjalë për dekretet e Presidentit, por edhe për ndonjë kërkesë të Prokurorisë, ato mund të futen automatikisht në kalendarin e punës 6-javore. Gjithsesi, kjo mund të realizohet vetëm në rast se ka një vullnet nga ana e mazhorancës, pasi në të kundërt, do të vërtetohet më së miri qëndrimi shqetësues i PS-së. “Më vjen shumë keq, që Kryetarja e Kuvendit, pavarësisht insistimit tonë edhe në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve, nuk ka përfshirë në kalendarin dhe as në programin 6 javor të punimeve të Kuvendit çështjen e imunitetit të Mediut dhe as dekretet e Presidentit të Republikës. Kjo vonesë është sa absurde, aq edhe e qëllimshme. Kemi të bëjmë me një rast të jashtëzakonshëm ku humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe ju ende mundoheni të zvarrisni zbardhjen e kësaj të vërtete”,- u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Por kryetarja e Kuvendit ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për këtë çështje dhe ka bërë të ditur për deputetët, se Këshilli për Imunitetet është duke punuar brenda të gjitha normave dhe afateve kohore që përcakton Rregullorja e Kuvendit. Ndërkohë, sa i përket çështjes së dekreteve të Presidentit, debati ka qenë edhe më i nxehtë, dhe të dyja palët janë përpjekur që të bindin kundërshtarët duke hyrë në interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 për zgjedhjen e anëtarëve gjykatave dhe të Rregullores së Kuvendit, për afatet kohore brenda së cilës duhet të kalojë një dekret për miratim. Kështu, në emër të grupit socialist, Valentina Leskaj ka akuzuar Kryeparlamentaren se në mënyrë të paprecedentë ka marrë kompetencat e gjithë Kuvendit, duke kërkuar verifikim të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por Topalli për të argumentuar qëndrimin e vet në këtë debat, ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Presidenti përpara se të binte pesë dekretet në Kuvend, duhet të ishte konsultuar me Kuvendin dhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›