E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e parakohshme, një opsion real i Berishës

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka kërcënuar zyrtarisht me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, nëse presidenti, Bamir Topi, nuk tërheq dekretet e tij mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ose nuk pranon që ato të injorohen pa u çuar në Kuvend për votim. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, kryeministri ka ngritur tonet për herë të parë zyrtarisht ndaj presidentit, Bamir Topi, duke theksuar se kjo betejë konsiderohet prej tij votëbesim për qeverinë. Tonet e forta kundër presidentit kanë tronditur mbështetësit e tij brenda Partisë Demokratike dhe një pjesë e tyre janë distancuar në grup parlamentar prej presidentit Topi. Kjo i ka dhënë shansin kryeministrit të ngrejë tonet dhe ndaj disa deputetëve të veçantë, të njohur si mbështetës të zotit Topi, të cilët dyshohet se mund t’i votojnë dekretet e tij, nëse kalojnë për votim në Kuvend. Përfshirja e kryeministrit në betejën me presidentin është në të vërtetë konflikti real që ekziston. Tensioni mes Presidencës dhe Kuvendit ishte vetëm një reflektim i konfliktit real që ekziston prej muajsh mes presidentit dhe kryeministrit, që nga koha kur reforma e menjëhershme e Kushtetutës ndryshoi, pa e konsultuar as formalisht presidentin për procedurën e zgjedhjes së tij dhe tentoi dhe disa modifikime lidhur me kompetencat rreth kundërfirmimit të dekreteve të presidentit. Në kundërpërgjigje të tij, presidenti duket se bëri kujdes të madh të dekretonte pesë kandidatë për Gjykatë të Lartë, të cilët të ishin larg formatit që mund t’i pranonte kryeministri. Duke anashkaluar jo pa vetëdije një praktikë joformale të konsultimit me grupet parlamentare dhe duke përzgjedhur kandidatura që i prishin qetësinë politike kryeministrit, presidenti ia arriti në fakt ta bëjë publik konfliktin dhe testoi realisht mbështetjen e tij brenda grupit parlamentar. Ky është i gjithë thelbi i konfliktit që po mban të mbërthyer shumicën dhe që arriti me thjeshtësi ta shpërthente publikisht Edi Rama një javë më parë, kur kërcënoi me votëbesim për zonjën Topalli. Ashtu siç pritej, zonja Topalli ishte thjesht një aktore e kësaj krize dhe jo palë në konflikt. Kryeministri Berisha e mori dje përsipër betejën dhe ka kërcënuar realisht me zgjedhje të parakohshme.

Por, a ka shanse reale ky kërcënim?

Për shumë që e vlerësojnë në mënyrë të përciptë situatën, ky është një kërcënim formal, por në të vërtetë unë shikoj një zhvillim real dhe një lëvizje të detyruar të Berishës në këtë drejtim. Për të shpallja e zgjedhjeve të parakohshme përmes një mocioni të dështuar besimi në Kuvend është rruga më e mirë për të shpëtuar politikisht nga shumë probleme.

Së pari, Berisha demonstron mospërkuljen e tij ndaj presidentit dhe futet në një fushatë agresive, duke marrë përsipër rolin e luftëtarit për një drejtësi të pakorruptuar. Siç mund të jetë vënë re në vizitat e tij të fundit, ai është fokusuar te sulme ndaj gjyqtarëve të korruptuar dhe ka rritur retorikën pa adresë ndaj tyre, duke imituar betejën dyvjeçare kundër ish-prokurorit problematik, Dhori Sollaku.

Së dyti, me zgjedhje të parakohshme Berisha shpëton nga shumë premtime që nuk i mban dot. Ai shpëton nga premtimi për kartat e identitetit, premtimi për mbarimin e autostradës së veriut dhe premtimet e tij ende larg realizimit në arsim, shëndetësi dhe legjislacionin fiskal. Zgjedhjet e parakohshme i japin atij shansin t’i mbajë ato të gjalla si premtime dhe pas një viti të justifikohet se “na vonoi kriza elektorale”.

Së treti, por kryesorja për nga rëndësia, zgjedhjet e parakohshme shpëtojnë Berishën dhe qeverinë e tij nga një përfundim hetimesh dhe gjykimesh prej drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit. Në këto kushte, kur Kuvendi ende heziton t’i heqë imunitetin Fatmir Mediut, Berisha ka shans të futet në zgjedhje, duke injoruar akuzat për përfshirje të familjes së tij në biznesin vdekjeprurës të demontimit dhe t’i konsiderojë ato akuza gazetarësh. Pas një viti situata do të jetë ndryshe, pasi drejtësia mund të faktojë shumë nga ato që tashmë janë vetëm akuza gazetash dhe televizionesh.

Së katërti, ndarja e fortë e së majtës dhe distanca që ata kanë për dialog në këto momente, është një rast i mirë për t’u testuar politikisht.

Dhe, së fundi, me këtë konflikt të shpallur me presidentin Topi ai ka shans të spastrojë nga lista e ardhshme elektorale gjithë mbështetësit e tij në PD dhe të shkojë me një listë të vetën drejt zgjedhjeve.

Me këto prioritete dhe me një reformë elektorale të kryer sa i përket sistemit, Berisha e ka të lehtë të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe pse jo t’i fitojë ato. Konflikti i tij me presidentin, Bamir Topi, nuk është se e ka lënduar aq shumë, por më shumë po përdoret si një shans për luftë finale. Ai kërkon një arsye jashtëqeveritare për të shkuar në zgjedhje dhe rasti po i jepet përmes prekjes në sedër që i ka bërë presidenti, duke mos e pyetur për kandidaturat, çka realisht nuk është normale. Por, të gjithë ata që e njohin arsyen e vërtetë, e kuptojnë se është një kthim borxhi, po ashtu për një betejë imorale ndaj institucionit të tij, duke e poshtëruar disa muaj më parë. Por kjo për zhvillimet e mëtejshme nuk ka më rëndësi. Konflikti mes tyre nuk është thelbësor, por është i vetëprovokuar nga të dy palët. Bamir Topi me këtë rast kërkon të bëhet president i pavarur nga Berisha, kurse ky i fundit kërkon ta përdorë për një betejë morale për t’u rimandatuar me një shumicë të pastër politike pa fraksione kokëçarëse midis. Ndaj, opsioni i zgjedhjeve të parakohshme nuk duhet marrë si kërcënim, por si opsion real. Dhe si i tillë duhet përballuar nga të gjitha palët. Askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë Berishës fuqinë që i jep sistemi për të mbijetuar politikisht, ndaj askush nuk mund ta ndalë atë ta çojë vendin në zgjedhje ose të gjunjëzohen para tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›