U dakordua themelimi i Pulit gazetaresk për Kosovë dhe Serbi

Mediat në Serbi dhe në Kosovë duhet ta formojnë një rrjet joformal për bashkëpunim dhe shkëmbim të përhershëm të informatave, që raportimi për ngjarjet në Kosovë dhe në Serbi të jetë më i mirë dhe më objektiv, është një nga përfundimet e grupit punuese (punishtes) “Gazetarët mund ta bëjnë këtë”, e cila në Beograd brenda tri ditëve të para të nëntorit i ka grumbulluar më shumë se 20 gazetarë të mediave kosovare dhe të mediave në Serbi. Kjo punishte është organizuar nga Nisma e të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Nisma).
Gazetarët kanë rënë dakord se me bashkëpunim mund të tejkalohen problemet e mungesës së korrespodentëve nga bota e jashtme dhe raportuesve nga terreni, për çfarë, përdoruesit e mediave nuk kanë gati kurrfarë njohurie/pamje për jetën e përditshme “në anën tjetër”. Janë marrë vesh edhe për shkëmbimin e teksteve, informacioneve dhe kontakteve të cilat mund t'u ndihmojnë gazetarëve gjatë raportimit. Gjithashtu, është theksuar se është e domodoshme që bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës të cilat fillojnë me 7 nëntor të jenë më të hapura për publik.
“Gazetarët e mediave kosovare dhe të mediave në Serbi duhet të kenë komunikim dhe bashkëpunim, pa i marrë parasysh dallimet eventuale politike. Nuk duhet të mbështetemi në politikanë dhe të presim që ata t'i zgjidhin problemet e qytetarëve, duhet të shkojmë një hap më përpara prej tyre. Nëse kërkojmë nga ata të jenë me përgjegjësi, duhet së pari ne të jemi me përgjegjësi si qytetarë dhe të fillojmë bashkëpunimin, ka thënë bashkëpunëtori i Nismës, Shpend Qamili.
Ndërsa gazetari Nemanja Stjepanoviq, nga agjencia “Sense”, ka vlerësuar se dialogu i udhëhequr nga Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq, ka qenë sipërfaqësorë duke paraqitur kështu vetëm përmbajtjen e bisedimeve.
“Nuk është shkuar më tej se sa transmetimi i deklaratave të Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit. Të raportuarit ka qenë i bezdisshëm dhe raportet e ngjashme me njëra tjetrën, sepse të gjithë mbështeten në lajmet e agjencive nga Brukseli dhe nuk kanë për qëllim që të bëjnë një hap më përpara. Është i pabesueshëm fakti se kur është biseduar për personat e zhdukur ose për lirinë e lëvizjes, asnjë nga përfaqësuesit e mediave nuk e ka parë të arsyeshme që të ftojë shoqatat e të të zhdukurve ose të bisedojë me qytetarë për këtë se çfarë domethënie kanë për ta marrëveshjet e arritura. Reportazhet nga Kosova për rezultatet e dialogut dhe të përcjellurit e qëndrimeve të pushtetit të Kosovës në mediat serbe mund të vërehen vetëm atëherë kur ndodh ndonjë incident”, ka thënë Stjepanoviq.
Përderisa në anën tjetër gazetarët nga Kosova kanë vlerësuar se raportimi për dialogun ka pasur vështirësi.
“Mediat e Kosovës e kanë një korrespondent në Beograd. Gazetarit të Kosovës i cili ka raportuar nga veriu i Kosovës, për shkak të presionit të mjedisit dhe për shkak të sigurisë i është dashur ta braktisë këtë zonë”, ka thënë Jeton Musliu, gazetar i Rrjetit Hulumtues Rajonal për Ballkan (BIRN).
Ndërsa gazetarja Maja Fiqoviq, ka thënë se shumë gjëra nuk ka pasur guxim edhe ti publikojë.
“Gjithnjë e më pak jemi gazetarë, dhe gjithnjë e më shumë përshkrues. Disa gjëra nuk guxoni t'i publikoni për shkak të sigurisë së vetvetes. Në veri të Kosovës ka aq shumë probleme, mbizotëron mungesa e rendit, dhe për këtë duhet të raportohet”, ka thënë gazetarja e Radios Kosovska Mitrovica, Maja Fiqoviq.
Në grupin punues pjesëmarrës të tij kanë qenë përfaqësues të “Kohavisionit”, PG “Rrjeti”, Portali “Indeksonline”, RTV “Kragujevac”, portali “Telegraf.rs”, “Telegrafi”, “Autonomia”, TV “Piroti”, “Kosova Press”, “Magazina e re”, “Karta e Helsinkut”, “Tribuna shqiptare”, dhe “Dnevnik”.
Gjatë punimeve të këtij grupi, gazetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë që të vizitojnë edhe redaksinë e RTV B92, të gazetës “Blic” dhe të portalit “E-novine”, ku kanë biseduar me redaktoret e tyre për skenën e mediave në Serbi, për funksionimin e mediave, dhe për raportimin e mediave nga Serbia dhe nga Kosova.
Në kuadër të projektit “Gazetarët mund ta bëjnë këtë” është duke u përgatitur edhe botimi me të njëjtin emër në të cilin do të analizohet të raportuarit e mediave në Serbi dhe në Kosovë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për temat që kanë të bëjnë me të dy shoqëritë.
Nisma e ka përgatitur një kalendar voluminoz, vizualisht të qartë të ngjarjeve të rëndësishme për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës./Indeksonline/