U dëmtua nga tërmeti, Sako: Në janar nis ndërtimi i shkollës në Vadardhë të Sukthit

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirana Sako, u shpreh sot se është firmosur kontrata për fillimin e punës për ndërtimin e shkollës së Vadardhës në Sukth, ndërsa kjo godinë arsimore është e gjashta që pritet të finalizohet për objektet e dëmtuara nga tërmeti.
Kryebashkiakja Sako shprehet se ky është një lajm i mirë për banorët e Sukthit që vjen vetëm disa orë përpara mbylljes së këtij viti, ndërsa kantieri për fillimin e punës do të jetë gati në janar.
“Në muajin janar do të jetë gati kantieri për të filluar nga puna për këtë objekt arsimor kaq të rëndësishëm për komunitetin e nxënësve, prindërve e mësuesve. Ndërkohë që pesë godina arsimore në njësinë administrative Sukth kanë përfunduar, ky do të jetë objekti i gjashtë i cili do të finalizojë investimet në arsim për objektet e dëmtuara nga tërmeti në këtë njësi”, thotë Sako në postimin në rrjetet sociale.
