E Diel, 1 Nëntor 2026

U dështoi koncerti në Karagaq por mbledhin 3091 euro

Këshilli organizativ i koncertit humanitar ''Ta ndihmojmë Diellzen'', i cili pati dështuar për shkak të aksidentit të nxënësve që ka ndodhur në ditën e mbajtjes së tij, ka arkëtuar në konton e Djellza Nimonajt shumën prej 3091 eurove, të mbledhura me këtë rast, ndërsa ka sqaruar rolin e tyre si organizatorë dhe personave të tjerë si mbështetës, duke bërë sqarimin publik të tyre.

Këshilli organizativ, i përbërë prej nxënësve të shkollës së mesme ekonomike ''Ali Hadri'' ne Pejë, me anë të një konference për media ka bërë të ditur shumën e parave të grumbulluara me rastin e organizimit të koncertit humanitar, i cili ka dështuar për shkak të një aksidentit të ndodhur ditën e mbajtjes së tij.

Shuma e parave prej 3091 eurove, në praninë e babait të saj, pas konferencës, në NLB-bankën, është arkëtuar në konton publike bankare të Djellza Nimanajt nga Deçani e cila vuan nga një sëmundje.

Me këtë rast ky këshill ka shprehur edhe keqardhjen e tij për rastin e aksidentit që ka ndodhur, ndërsa i ka uruar shërim të shpejt Djellzës.

Nga ana tjetër, Mirsad Nimanaj, babai i Djellzës ka falëndëruar organizatorët, kurse ka thënë se përderisa fëmijët e aksidentuar me rastin e ditës së koncertit nuk shërohen, nuk do të ndihet i qetë.

Ndërkaq, konferenca e cila u mbajt sot, ishte e planifikuar të mbahej në Shkollën Ekonomike ''Ali Hadri'' në Pejë, prej nga edhe vijnë nxënësit e këshillit organizativ, mirëpo një gjë e tillë nuk u ishte lejuar nga drejtuesit e shkollës të bëhej atje, si rrjedhojë Qendra Rinore ''Peja'' ua ka hapur dyert këtyre të rinjëve të bëjnë publikimin e shumës së mbledhur të parave, që ajo të bëhet në hapësirat e saj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›