E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Gashi vizitoi Zyrën Administrative në Veri

Sot, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, vizitoi Zyrën Administrative në veri të qytetit të Mitrovicës, me ftesë të shefes së kësaj zyreje, Adrijana Hoxhiq.

Në këtë takim njoftues, njëkohësisht edhe të parin të zhvilluar nga institucionet e Kosovës në këtë zyrë, kryesisht u bisedua rreth problemit të mbeturinave dhe menaxhimit të tyre. Hoxhiq shprehu nevojën e qytetit për një impiant për menaxhimin e mbeturinave spitalore, pasi sipas saj ato përveq që hudhen në kontenjerë të mbeturinave të amvisërisë, ato gjithashtu po hudhen edhe në lum. Problem tjetër në këtë qytet sa i përket mbeturinave janë edhe deponitë ilegale për të cilat ajo kërkoi ndihmën e MMPH për vlerësimin dhe licencimin e tyre.

Ministri Gashi shprehu gatishmërinë e MMPH për ndërtimin e një impianti për menaxhimin e mbeturinave spitalore, të ngjashëm me të tjerët që janë ndërtuar vitin e kaluar në të gjitha komunat tjera të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket deponive, ai shtoi se duhet të shikohet mundësia e përfshirjes së tyre në planin e MMPH’së për kthimin e tyre në partneritet publiko-privat. Ndërkohë, Gashi gjithashtu kërkoi nga znj Hoxhiq, që përmes zyrës së saj të bëhet edhe promovimi i ligjeve që i përkasin fushës së planifikimit hapësinor, përfshirë, ligjin e ri të ndërtimit, ligjin e planifikimit hapësinor dhe ligjin për legalizimin e objekteve pa leje.

Gjithashtu, zonja Hoxhiq njoftoi Ministri Gashi rreth shërbimeve që ofron kjo zyrë për qytetarët, duke përfshirë edhe regjistrimin, si dhe drejtoritë e urbanizmit, kadastrit dhe inspekcionit.

Në përfundim të takimit, ministri Gashi dhe znj. Hoxhiq u zotuan për bashkëpunim më të thellë rreth çështjes së mbeturinave duke siguruar se integrimi i këtij komuniteti mund të ndodhë vetëm përmes projekteve konkrete./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›