E Shtunë, 31 Tetor 2026

U hap panairi i punës

Në Pallatin e Rinisë është hapur Panairi i Punësimit, ndërsa vërehet pjesëmarrje e shumë të rinjve të interesuar që të aplikojnë për punë në ndonjërën nga kompanitë që po prezantohen në panair.

Panairi i Punës është organizuara nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me përkrahjen e Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë KPEP/USAID, ndërkaq sponsor gjeneral i këtij panairi është Konsorciumi “Bechtel & Enka”.

Kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OAEK), Lekë Musa, ka thënë se OEAK-u për shtatë vite me radhë ka mbledhur së bashku kompanitë më të mëdha me qëllim të krijimit të një platforme për të gjithë të interesuarit për vende pune.

“Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme se të krijojmë një perspektivë dhe vende të reja të punës për rininë në Kosovë. OEAK, për shtatë vjet, i ka mbledhur së bashku kompanitë më të mëdha dhe ka krijuar një platformë për studentët dhe të gjithë të tjerët e interesuar për vende të ndryshme të punës, në mënyrë që të komunikojnë dhe të shohin se çfarë janë interesat e përbashkëta”, ka thënë ai.

Gjatë hapjes së këtij panairi ishte i pranishëm edhe ministri i Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht me qëllim të uljes së nivelit të papunësisë në vend.

“Papunësia ka qenë dhe është një shqetësim i vazhdueshëm për të gjithë ne, por është edhe një angazhim permanent i Qeverisë për të përmirësuar këtë situatë për të ulur nivelin e papunësisë, duke hapur vende të reja pune. Këtë e bëjnë përfaqësuesit në këtë panair të kompanive më të mëdha në vend. Qeveria po punon intensivisht për të rritur hapësirat për investime të huaja, dhe duke nisur procedura për nisje të bizneseve vendase, çka do t’i jepte një shtysë të madhe ekonomisë në vend dhe sektorit të punësimit në veçanti”, ka thënë ai.

David Cowles, president i Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë (KPEP), ka thënë se “KPEP” punon për të përmirësuar konkurrencën në sektor të caktuar, si dhe për të përmirësuar ambientin biznesor dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Përveç kompanisë “Bechtel & Enka”, kompani tjera pjesëmarrëse në këtë Panair ishin “ProCredit Bank”, “KPMG”, “Price Waterhouse Coopers”, “BU&Patners”, “Coca Cola Hellenic Kosovë”, “3CIS”, “MDA”, dhe “ISES Universum”. (KosovaPress)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›