U kap me dokumente false, pranga bullgarit në Dibër/ Zbulohet skema, si i pajisnin shqiptarët me pasaporta bullgare, procedohen penalisht administratori i Ostrenit dhe paraardhësi i tij

Policia e Dibrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Identiteti” duke arrestuar një shtetas bullgar pasi u kap me dokumente të falsifikuara dhe ka proceduar penalisht administratorin e Njësisë Administrative Ostren, Bulqizë si dhe paraardhësin e tij.
Sipas burimeve zyrtare, administratori dhe ish-administratori dyshohet se kanë lëshuar dokumentet nga gjendja civile për disa persona si banorë të Ostrenit, me qëllim më pas pajisjen e tyre me pasaporta bullgare. Pikërisht këto dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, iu gjetën 49-vjeçarit bullgar teksa po kalonte në Pikën Kufitare të Bllatës në Dibër.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e siguruara se disa shtetas falsifikonin dokumente të gjendjes civile me qëllim pajisjen e personave të ndryshëm me vërtetime sikur janë banorë të njësisë administrative Ostren dhe më pas këto dokumente do t’i dërgonin në Bullgari, me qëllim pajisjen me pasaporta bullgare, kanë nisur hetimet proaktive, të ndjekura me metoda speciale hetimi, për rreth 1 muaji, për goditjen e këtij grupi.
Si rezultat i hetimeve të kryera, strukturat e DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë Dibër, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”, ku, si rezultat, në dalje të PKK Bllatë, u bë ndalimi i shtetasit E. T., 49 vjeç, banues në Sofje, Bullgari”, njoftoi sot policia.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin që ky shtetas drejtonte, iu gjetën 21 dokumente të dyshuara të falsifikuara për 21 shtetas të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me pasaporta bullgare.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
N. S., 53 vjeç, banues në fshatin Ostren, me detyrë administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë;
B. M., 62 vjeç, banues në fshatin Lejçan, ish-administrator i njësisë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë.
Këta dy shtetas gjatë ushtrimit të detyrës dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke lëshuar dhe falsifikuar dokumente të gjendjes civile për persona të ndryshëm, me qëllim përfitimin e pasaportave të shtetit bullgar.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.