11 protestuesit e arrestuar të opozitës dalin sot para gjykatës, Berisha: Padi kreut të Policisë së Shtetit, përdori lëndë helmuese

Një grup prej 11 protestuesish, të arrestuar më 17 prill gjatë protestës së opozitës, pritet të dalin sot para gjykatës për masën e sigurisë. Duke folur për këtë, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi para SPAK, se PD do të depozitojë padi penale ndaj kreut të ri të Policisë së Shtetit dhe disa personave të tjerë, për shkak të mënyrës së menaxhimit të protestës.
Berisha akuzoi policinë se ka përdorur ndaj protestuesve gaz lotsjellës me përbërje okside metalesh dhe verbues për arinjtë, të cilat sipas tij janë të rrezikshme për shëndetin dhe mund të shkaktojnë dëmtime serioze, përfshirë probleme të frymëmarrjes dhe të zemrës.
Berisha paralajmëroi gjithashtu se PD do të vazhdojë protestat e opozitës dhe se ato do të jenë edhe më të fuqishme.
“Kriminelë me uniformë përdorën në protestën e fundit mjetet më të ndaluara dhe të paligjshme ndaj protestuesve guximtarë. Heroit të vërtetë të ndërgjegjes, mbrojtës të pamposhtur të ndërgjegjes shoqërore të shqiptarëve dhe të guximit qytetar, janë të gjithë pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt. Do i padisim të gjithë ata pasi kanë përdorur verbuesin e ariut, pasi të ka të njëjtën lëndë që përdoren ndaj njerëzve por me koncentrim të 10-fishtë. E përdorur te njerëzit mund të shkaktojë bllokim total të frymëmarrjes dhe zemrën dhe jua kapën bombolat. Bombula përveç lëndës që përdoret në këtë rast ka pasur okside metalesh shumë të rrezikshme. Do vazhdojmë edhe më shumë me protestat, do jenë edhe më të fuqishme. Gjykata të marrë vendimin e duhur. Ne do depozitojmë padi penale për kreun e policisë së shtetit dhe të tjerëve që kryesuan operacionin kundër opozitës në protestën e saj paqësore”, tha Berisha.
Në protestën e fundit kombëtare të opozitës u arrestuan 11 protestues, të cilat akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës me zjarr”, “Kundërshtim i punonjësit të rendit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e mjeteve të rrezikshme”.
/rtsh.al/