E Diel, 1 Nëntor 2026

U mbajt tryeza “Gratë dhe zhvillimi ekonomik”

Grupi i Grave Deputete mbajti sot një tryezë në Istog me temën “Gratë dhe zhvillimi ekonomik”, përkrahur nga NDI. Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se gjendja jo e mirë ekonomike-sociale, sidomos e grave, janë arsye që ne të punojmë më tepër për ta përmirësuar këtë gjendje. “Nga vizitat dhe takimet e shumta kemi vërejtur se ekziston mundësia që kjo gjendje të përmirësohet. Disa gra dhe burra kanë arritur të fillojnë biznese me pak buxhet dhe ta rrisin biznesin e tyre. Ne duhet të drejtojmë veprimtaritë në bazë të potencialit që kemi. Në Istog rreth 70 për qind e popullatës varet nga bujqësia dhe ky sektor duhet të përkrahet”, tha Kadaj.

Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija tha se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë vizituar 25 komuna. “Këtë jemi duke e bërë me qëllim të fuqizimit të grave jo vetëm në politikë dhe në vendimmarrje, por edhe për të ndikuar në politikat zhvillimore, sidomos në projekte që ndikojnë në fuqizimin ekonomik të gruas. Gjithashtu ne po angazhohemi që t’i inkurajojmë gratë që, me mundësitë që ato kanë, të mësohen të krijojnë të ardhura për vete dhe familjen. Ne kemi kërkuar nga institucionet monetare ndërkombëtare fonde strukturale, me anë të të cilave do të përkrahen bizneset e grave dhe po presim të kemi rezultate. Por, ajo që është me rëndësi është që ju të filloni të bëni projekte serioze të analizuara dhe punuara mirë e ne t’ju ndihmojmë me politika ekonomike”, tha Sahatqija.

Sipas komunikatës nga Kuvendi i Kosovës, deputetja Lirije Kajtazi foli për rëndësinë e shkollave profesionale, duke thënë se këto shkolla duhet të kenë rol më të madh dhe të jenë më tërheqëse dhe të jenë kompatibile me tregun e punës, si dhe të krijojnë teknikë dhe profesionistë të mirë. Po ashtu, theksoi Kajtazi, “edhe në universitete duhet përshtatur kurrikulat me kahet e zhvillimit ekonomik”./Indeksonline/  
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›