U mbyt në liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi dy turistë, kapiteni Arben Anamali shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Arben Anamali, i cili sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar dy turistë, është shpallur nga qeveria “Dëshmor i Atdheut”. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi nderimin e kapitenit Anamali me mirënjohjen më të lartë të Republikës.
“U prehsh në paqe Dëshmor i Atdheut! Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës. I paharruar, Kapiten Arbeni!” shkroi Rama në Facebook.
Pasditen e 8 korrikut, Arben Anamali, kapiteni i “Drinit”, një nga dy anijet që menaxhohet nga Bashkia e Shkodrës për qëllime turistike, ishte nisur për lundrim me një grup turistësh. Pavarësisht erës së fortë, mësohet se disa prej turistëve këmbëngulën që të hidhen për t’u larë në ujërat e liqenit.
Kjo rezultoi e vështirë në ato rrethana, për shkak se ujërat e trazuar filluan t’i largojnë turistët disa metra nga mjeti lundrues, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e kapitenit fillimisht me kamerdaret e shpëtimit dhe pastaj duke u hedhur ai vetë në ujë për t’i shpëtuar. Megjithëse arriti t’i nxjerrë me sukses të tjerët nga rreziku, kapiteni nuk mundi të kthehej përsëri në anijen e tij.
Trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të enjteje (10 korrik). Gjesti i Anamalit dhe sakrifica e tij me vetëmohim për të shpëtuar të tjerët preku thellë opinionin publik, duke u vlerësuar si një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe guximit.
/rtsh.al/