E Shtunë, 31 Tetor 2026

U ndanë Çmimet Kombëtare për Vepër Jetësore

Në një mbrëmje solemne në Teatrin Kombëtar të Kosovës,  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sonte nderoi artistët që kanë dhënë vlera kulmore artistike në fushën e teatrit.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit, iu nda dymbëdhjetë personaliteteve që kanë dhënë kontribut shumëvjeçar në jetën teatrore në vend.

Juria e themeluar me vendim të ministrit Krasniqi, i cilësoi këto çmime si shprehje e mirënjohjes publike dhe si kërkesë për laureatët që të vazhdojnë të motivuar punën e tyre artsitike.   Artistët laureatë të Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, janë: Hadi Shehu, Çun Lajqi, Rauf Dhomi, Safete Rogova, Leze Qena. Ahmet Spahiu, Sylejman Lokaj, Xhevat Qorraj, Adem Mikullovci, Dibran Tahiri, Hysen Binaku dhe Asllan Hyseni.   Krahas performancave artistike të aktorëve të brezit të ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, sonte u përkujtuan edhe artistët që kanë ndërruar jetë, e që kanë lënë pas vepra të çmuara artistike.   Ndarja e Çmimeve Kombëtare për Vepër Jetësore në fushën e teatrit po ndodh për herë të parë që nga paslufta.  Rregullorja për ndarjen e Çmimeve për Teatër, që ka hyrë në fuqi më 19 tetor 2012, parasheh që Çmimi për Vepër Jetësore t’u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së teatrit për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e teatrit.   Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore , bazuar në rregullore, shpërblehet me vlerë financiare prej 5 mijë eurove, të cilat do t’i ndajë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Indeksonline/  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›