U përjashtua 15 vjet nga Drejtësia, KLP i ndërpret mandatin Alfred Ballës

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot të ndërpresë mandatin e Alfred Ballës, i cili ishte dhe Kryetar i qeverisë së Prokurorëve (KLP).
Në mbledhjen e sotme të zhvilluar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë u diskutua mbi vendimin e marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që vendosi largimin nga drejtësia për 15 vite të Alfred Ballës. Në fund të diskutimeve, KLP vendosi me 9 vota pro t’i ndërpresë mandatin Alfred Ballës.
KPA shqyrtoi në 21 maj ankimimin e kryer nga Komisioneri Publik për vendimin e dhënë nga KPK në lidhje me Alfred Ballën duke vendosur që trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit Publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar.
Trupi gjykues me shumicë votash vendosi ndryshimin e vendimit dhe ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën.
“Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në njoftimin e KPA.
Në reagimin pas vendimit, Alfred Balla e cilësoi vendim të turpshëm. Ai sqaroi se ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj tij.
/a.f/