Gjekmarkaj: Nuk mjafton një rezolutë prej dy faqesh për të ndalur korrupsionin

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj tha sot nga foltorja e Kuvendit se nuk mjafton një rezolutë prej dy faqesh për të ndalur korrupsionin.
Gjatë diskutimeve për pr/rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen, deputeti Gjekmarkaj tha se mazhoranca i ka patur të gjitha mundësitë për të mirëqeverisur.
“Nëse në vjeshtën e vitit 2013 do të kisha qenë në këtë sallë, me përgjegjësinë e deputetit ndoshta nuk do kisha pasur paragjykime të mëdha për një rezolutë si kjo e sotmja. Një herë mendoj i duhet besuar gjithkujt, sepse mosbesimi po shndërrohet në virus për shoqërinë tonë. Besimi është virtyt, vlerë shoqërore, tradhtia ndaj tij ves. Bartësit e përsëritur të tij fajtor ndaj saj. Ju mund ta quanit edhe rezoluta e mirëqenies e mirëvajtjes e mirësisë kush po ju ndalon?!”, u shpreh ai.
“Ju po qeverisni, kush ju ka penguar të mirëqeverisni, mungesa e rezolutës?! Kush ju ka nxitur të vraponi nga skandali në skandal, nga hajdutëria në hajdutëri, nga grabitja ne grabitje, ky tekst dy faqesh?!”, vijoi Gjekmarkaj.
“Për ne që kemi jetuar në këtë vend prej 11 vitesh kjo iniciativë është paradoksi më sfidues, më cinik, më provokues kur keqqeverisësit na flasin për mirëqeverisje, kur të korruptuarit na ftojnë të bëhemi më të ndershëm, kur të padrejtët na thonë jeta jonë ka kuptim vetëm për drejtësi, kur të paditurit na akuzojnë për mungesë dijesh, kur tallavarexhinjtë për mungesë sqime elitare?!”, vijoi ai.
“E vërteta zë rrënjë tek ndjesa. Shfaqni një herë të vetme humanizmin e pendesës. Aty fillon konvertimi juaj në evropianë. Deri tani jeni jeniçerë të neokomunizmit”, vijoi Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj përfundoi duke u shprehur se “opozita sot nuk ju voton kundër, nuk ju voton pro madje nuk ju voton fare në këtë gënjeshtër dhe hipokrizi te re, thjesht ju njeh autorësinë e gënjeshtrës, ju njeh pronësinë e paturpësisë, ju drejton gishtin për korrupsionin vanitoz, për pengimin e përdorimin e drejtësisë, për tribalizmin e institucioneve, për asgjësimin e demokracisë dhe pengimin e integrimit dhe së shpejti, ju heq karrigen ku jeni ulur nga maja e së cilës po shkretoni këtë vend”.
/a.f/