Noka: Me rezolutën, Rama kërkon të shpallet kalorës i antikorrupsionit

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, nga foltorja e Kuvendit tha sot se është kriminale që pas tre mandate qeverisjeje të kërkosh votimin e një projektrezolute antikorrupsion.
Në fjalën e tij në Kuvend, ku u diskutua projektrezoluta e Partisë Socialiste për mirëqeverisje dhe antikorrupsion, e cila parashikon dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, Noka tha se Rama po kërkon që me këtë rezolutë të shpallet kalorës i luftës ndaj korrupsionit.
”Kjo mazhorancë, ky kryeministër ka bërë në këto 11 vite plot gjëra fyese, tallëse, poshtëruese për publikun, për qytetarët e këtij vendi, dhe për opozitën. Por padyshim se ky moment, është nga më kulminantët. Të vish këtu pas 3 mandateve krim dhe korrupsion, e të kërkosh ta mbyllësh këtë histori me një rezolutë, kjo është e pabesueshme”, tha Noka.
“Ne e dimë se me këtë rezolutë autori kryesor për korrupsionin, për qeverisjen e keqe, për lidhjet me bandat e me krimin, nuk ka ndërmend të lajë duart si Ponc Pilati. Këtë e kemi marrë vesh. Por të vësh në skenë këtë shfaqje të neveritshme që të kërkojë këtu nga ky parlament që ai vetë, të shpallet këtu si kryqtar i luftës ndaj korrupsionin kjo është fyese për shqiptaret, kjo nuk mund të ndodhë”, u shpreh Noka.
“Këtë amnisti, këtë falje, këtë indulgjencë ti Edi Rama nuk ke për ta marrë kurrë”, përfundoi Noka.