E Shtunë, 31 Tetor 2026

U ratifikua

Pa kurrfarë entuziazmi, deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë ratifikuar marrëveshjen e parë ndërkombëtare, në një seancë parlamentare të jashtëzakonshme, të shtunën. Pas disa tentimesh të dështuara, ligjvënësit kosovarë i dhanë mbështetje marrëveshjes për demarkacion fizik të kufirit me Maqedoninë, duke i dhënë fund një procesi të gjatë të përcaktimit të vijës kufitare që ishte bërë pengesë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Edhe Kuvendi i Maqedonisë ka filluar të shtunën seancën e jashtëzakonshme parlamentare, por për dallim nga deputetët kosovarë, të cilët votuan pa hapur debat, deputetët maqedonas kanë zhvilluar një debat maratonik, ku ka pasur edhe përplasje mes opozitës dhe pozitës. Parlamenti i Kosovës, i mbledhur me kërkesë të presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, i dha vetëm 67 vota për marrëveshjes, gjatë votimit të parë elektronik nga gjithsej 87 deputetë të pranishëm. Shtatë deputetë ishin kundër, ndërkaq nëntë abstenuan. Katër të tjerë nuk morën pjesë në votim.

Kuvendi mund të ratifikojë marrëveshje ndërkombëtare vetëm me së paku dy të tretat e votave për. Kjo detyroi kryeparlamentarin Jakup Krasniqi që të kërkojë pauzë për të zhvilluar konsultime me shefat e grupeve parlamentare dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit. Pas një orë e gjysmë, seanca filloi sërish.

Fillimisht e mori fjalën kryeministri Hashim Thaçi i cili foli për rëndësinë që ka kjo marrëveshje për Kosovën. Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të vazhdojnë ta punojnë tokën e tyre pa frikë, pa u penguar dhe me qasje të pandërprerë. Kjo do mundësohet me formimin e komisioneve përkatëse ndërshtetërore, të cilat do të themelohen menjëherë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, ka thënë ai.

Jozyrtarisht, thuhet se janë 22 hektarë tokë në pronësi private që kanë mbetur në territorin maqedonas. Kryeministri tha se fshatarët të cilët nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë tokat e tyre prej vitit 2001 do të kompensohen.

Kryeparlamentari Krasniqi u dha mundësinë shefave të grupeve parlamentare që të marrin fjalën, po asnjëri nga ta nuk doli në foltore. Dy përpjekje të reja për votim elektronik dështuan për shkaqe teknike. Krasniqi kërkoi që deputetët të deklarohen duke ngritur dorën. Kësaj here marrëveshja u ratifikua me 81 vota për, 3 kundër dhe 2 abstenime. Naim Rrustemi i PDKsë, Melihate Tërmkolli e LDKsë dhe Esat Brajshori i AKRsë ishin të vetmit që votuan kundër.

Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se çështja e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë është pjesë e planit të Ahtisaarit, që paraqet obligim për institucionet kosovare.
Ky moment i deklarimit tuaj për të përfunduar këtë proces, që është pjesë e barrës dhe e debateve të deritashme, do të përmbyllë një kapitull që nënkupton sqarimin e detajuar të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, ka thënë Sejdiu. Ai shprehu bindjen se me ratifikimin e marrëveshjes, fillon një epokë e re e zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë.

Polemikat në Maqedoni

Në foltoren e Kuvendit maqedonas, deputetët opozitarë kanë akuzuar pushtetin se marrëveshja për shënimin fizik të kufirit është kundërkushtetuese dhe me të Kosova i merr më shumë se 150 metra të territorit të Maqedonisë. Ata kanë vlerësuar se është e nevojshme procedurë e re për ndryshimin e kufijve me 2/3 e shumicës në Kuvend.
Por ministri i Jashtëm, Antonio Milososki, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes për kufirin me Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm pasi përmbyllet një çështje e vogël, por mjaft të rëndësishme.

Vlerësoj se kjo është diçka që mbron interesat tona kombëtare, përparon interesat bilaterale mes Maqedonisë dhe Kosovës si dhe ka rëndësi rajonale dhe europiane meqë Maqedonia të jetë shteti i rrallë në Evropën Juglindore që do të ketë kufijtë e saj të qartë dhe të shënuar me fqinjët e saj, ka thënë ai.

Ndërkaq, në një prononcim për media, kryeministri Nikola Gruevski, i ka hedhur poshtë pohimet e opozitës se me marrëveshjen e re ka lëvizje në vijën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë.Nuk kam kurrfarë arsye të frikohem, sepse me këtë marrëveshje, shteti nuk humb asnjë milimetër nga territori. Dua tju siguroj se kurrë, me asnjë çmim, nuk do të kisha nënshkruar diçka me të cilën do të humbnim një milimetër të territorit të Maqedonisë, citohet të ketë thënë ai nga mediat e Shkupit.

Deputeti i Lidhjes Socialdemokrate, Andrej Petrov, ka theksuar se LSDMja nuk është kundër demarkacionit të kufirit dhe ka kërkuar që deputetëve tu dorëzohen hartat demografike të kufirit verior që të konfirmohet se dëmtohet apo jo territori i Maqedonisë.
LSDMja vlerëson se seanca e sotme është dhunim i Kushtetutës, si akt mbi të gjitha aktet dhe proceduara e tillë është e dyshimtë dhe e palejueshme në Parlamentin e Maqedonisë.

Nuk mund të kuptojmë pse nevojitet aq urgjencë, pse seanca caktohet në mbrëmje për ditën e nesërme, pse parlamenti për herë të parë në 18 vitet e pavarësisë punon ditën e shtunë. Po ashtu, në materiale nuk kemi hartën topografike që të shihet nëse bazohet frika dhe spekulimet se bëhet fjalë për ndryshim të kufijve të Maqedonisë nga ana e Kosovës, ka thënë Petrov, sipas TV Alsat.

Ndërkaq, Andrej Zernovski nga Partia Liberaldemokrate, konsideron se Marrëveshja për demarkacionin është kundërkushtetuese dhe nëse ajo ratifikohet paralajmëroi se do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreson që edhe opozita maqedonase të demonstroj edhe në vepër konstruktivitetin e saj të deklaruar dhe të mos bëjë marketing politik. Në fund do të shpresojmë dhe presim se do të dominojë, do të ngadhënjejë konstruktiviteti dhe do të arrijmë ta përfundojmë procesin me sukses, ka thënë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Deputeti i Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, deklaroi se vonesa për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën nuk është në dobi të askujt. Votimi i marrëveshjes në Parlamentin maqedonas është pritur të bëhet në orët e vona të së shtunës.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje është përshëndetur nga Qeveria e SHBAve, Bashkimi Europian, ICO, Qeveria e Shqipërisë, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›