E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shlyerja e borxhit

Kosova ka paguar 16.9 milionë euro në emër të borxhit të jashtëm ndaj Bankës Botërore, më 15 tetor. Ky është kësti i parë që shteti më i ri në botë, pas shpalljes së pavarësisë, ka marrë përsipër tu paguajë kreditorëve të jashtëm, për kreditë që i ka shfrytëzuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Kosova ka pranuar borxhin prej 381 milionë eurosh ndaj institucioneve financiare brenda BB-së dhe në bazë të marrëveshjes, të gjitha obligimet duhet të kryhen deri në vitin 2031.

Pagesën e këstit të parë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës, të cilët thonë se pagesa e këtyre obligimeve krijon mundësi për shfrytëzimin e kredive të reja nga ky institucion financiar ndërkombëtar. Guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, ka thënë se është ekzekutuar vendimi i MEF-it, për pagesë të kësaj shume. Ashtu siç ka qenë e paraparë, kësti i kredisë ndaj Bankës Botërore është paguar, ka thënë Rexhepi.

Borxhet ndaj institucioneve të Bankës Botërore, Kosova i ka pranuar me nënshkrimin e marrëveshjes për anëtarësim në këtë institucion, muaj më parë. Qeveria e Kosovës, në buxhetin e këtij viti, i ka bërë gati 56 milionë euro për ti derdhur në llogari të kreditorëve. Ndërkaq, për tia lehtësuar Kosovës këtë barrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë 150 milionë dollarë për ta mbuluar këtë borxh, kurse 5 milionë euro të tjera i ka ndarë Komisioni Evropian.

Në bazë të marrëveshjes së ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, për pagesën e borxheve të jashtme, për çdo vit, pala kosovare do ti paguaj kreditorit më të madh, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, institucion financiar ky brenda Bankës Botërore, 16,9 milionë euro në dy këste, një në muajin mars dhe një në shtator. Sivjet, që të dy këstet janë paguar përnjëherë, ndërsa vitin tjetër do të paguhen ndaras.

Edhe zëdhënësi i MEF-it, Muharrem Shahini, ka pohuar se javën e kaluar institucionet e Kosovës e kanë kryer obligimin që kanë marrë përsipër, me anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›