E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetohet Maradona

Selektori i Argjentinës, Diego Maradona, do të hetohet nga FIFA rreth shpërthimit të ashpër pas fitores ndaj Uruguait, të mërkurën, me të cilën u kualifikuan për Kampionatin Botëror 2010. Maradona lansoi kritika të ashpra të transmetuara drejtpërdrejtë në televizion ndaj gazetarëve dhe kritikëve, pas sigurimit të pjesëmarrjes për garën e vitit të ardhshëm në Afrikën e Jugut.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka thënë se nuk kishte alternativë tjetër, pos të kërkojë që komisioni disiplinor të hapë një rast. Maradona 48-vjeç rrezikon të dënohet për së paku pesë ndeshje dhe të gjobitet.

Mirëpo, presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Julio Grandona ka deklaruar: Nëse do të kishte qenë një tjetër trajner ose futbollist, çështja nuk do të kishte qenë kaq me rëndësi. Të gjithë e dinë se ai është person temperament dhe tashmë ka thënë se nuk do të flas më ashtu.

Maradona është paraqitur në televizion dhe radio, por në të dyja rastet refuzoi të kërkojë falje ndaj mediave për shpërthimin e tij. Nuk duhet të kërkoj falje, tha ai për Radio Continental.

Krejt çfarë kam bërë ishte reagim ndaj gjithë atyre njerëzve, të cilët kanë folur kundër meje. Nuk do ti tërheq fjalët. Të gjithë e dinë se çka është thënë. Më duket se shumë prej gazetarëve kanë dashur që Ekipi Kombëtar të mos kualifikohet për Kampionatin Botëror. Për mua, kjo është kundër Argjentinës dhe është diçka që nuk mund ta fali, shtoi ai.

Ndërsa për televizionin TyC Sports është shprehur: U kërkoj falje grave nga Argjentina, nënës sime dhe nënave nga Uruguai dhe mbarë bota. Por, vetëm atyre, jo të tjerëve. FIFA besohet se është duke hetuar nëse komentet e Maradonës shkelin artikullin 58 të kodit disiplinor.

Maradona është ikonë e futbollit argjentinas pas suksesit të tij si futbollist, por tani periudha e deritashme e drejtimit të Kombëtares ka qenë e debatueshme, pasi Argjentina mezi u kualifikua për në Kampionatin Botëror 2010. Si futbollist ai shfaqi paraqitje të shkëlqyeshme në triumfin në Kampionatin Botëror 1986, e katër vjet më vonë i ndihmoi Argjentinës të kalojë në finale, ku u mposhtën nga Gjermania.

Por, kësaj radhe si trajner ai u mposht 6-1 në Bolivi dhe 3-1 në shtëpi nga Brazili, andaj tifozët me të drejtë u frikësuan për kualifikimin e ekipit për në Afrikën e Jugut. Para dy ndeshjeve të fundit kualifikuese, një sondazh tregoi se shumica e tifozëve argjentinas, ishin të mendimit se Maradona nuk duhet të jetë selektor i Ekipit Kombëtar, por në fund Argjentina fitoi të dy ndeshjet dhe u kualifikua për Kampionatin Botëror 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›