E Shtunë, 31 Tetor 2026

U thonë "jo" zgjedhjeve

 Serbët ilegalë të veriut të Kosovës kanë vendosur që të bojkotojnë zgjedhjet e 3 nëntorit. Pjesëmarrja në zgjedhje sipas tyre, është në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Serbisë dhe me rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Njoftimi për bojkotimin e zgjedhjeve është dhënë pas një mbledhjeje të mbajtur të premten në Zveçan nga delegatët e të ashtuquajturit Kuvend Autonom i Kosovës dhe Metohisë, shkruan Zëri.

Pos delegatëve nga katër komunat veriore të Kosovës, në mbledhjen e organizuar kanë marrë pjesë edhe kryetarët ilegalë të komunave Mitrovicë, Zveçan dhe Zubin Potok, shefi i të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës, Radenko Nedelkovic dhe deputeti i DSS-së së Vojislav Koshtunicës, Marko Jaksic.

Zgjedhjet e caktuara nga presidentja Atifete Jahjaga, sipas tyre, janë në kundërshtim të plotë me legjislaturën serbe dhe si të tilla janë të papranueshme dhe të pazbatueshme për Kuvendin Autonom Serb.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje kanë konkluduar gjithashtu se për shkak të ngecjeve me muaj në punën e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, dhe për shkak të mosmarrjes së vendimeve, sipas iniciativave për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së marrëveshjeve të Brukselit dhe të akteve përcjellëse për implementim, “është krijuar dëm i madh politik dhe kushtetues”. /Zëri/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›