U vdes djali në aksident, vetëhelmohet gruaja, i shoqi në gjendje të rëndë
“Më prit se do vij te ti”, këto kanë qenë fjalët e gruas 47-vjeçare e cila nuk ka mundur dot ta kapërcente vdekjen e djalit të saj të vetëm, prandaj ka vendosur të vetëhelmohet
LUSHNJË Një grua 47-vjeçe nga një fshat i Lushnjës i ka dhënë fund jetës duke pirë një sasi të konsiderueshme fostoksine, ndërsa bashkëshorti i saj Pandeli Maka, pasi e ka gjetur gruan të pajetë, ka pirë dhe ai fostoksinë. Fatmirësisht, fqinjët kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë bërë të mundur transportimin e tij në spitalin e Lushnjës dhe tashmë ai ndodhet i shtuar në reanimancion ende në gjendje të rënduar. Shkak i kësaj tragjedie në familje ka qenë humbja e djalit të tyre të vetëm afro 1 vit e dy muaj më parë në një aksident automobilistik.
Depresioni
Sipas dëshmive të fqinjëve të çiftit Mata, mësohet se prej disa kohësh 47-vjeçarja Majlinda Mehmeti po kalonte një gjendje të vështirë depresive pas vdekjes në një aksident tragjik të djalit të saj të vetëm 20-vjeçar. Kjo tragjedi në familjen nga fshati Këmishtaj i rrethit të Lushnjës nuk është përtypur dot nga gruaja, e cila dje në mëngjes teksa fliste me fqinjët e saj e kishte pranuar se nuk jetonte dot në këto kushte. “Më prit se do vij te ti”, kanë qenë fjalët që ajo i kishte thënë djalit të saj, ditën e djeshme teksa i kishte qenë te varri. Ditën e djeshme Majlinda Mehmeti kishte siguruar një sasi të madhe fostoksine dhe kishte pritur momentin kur i shoqi nuk ishte në shtëpi për të vënë në plan mendimin e saj se shumë shpejt do të shkonte pranë djalit të saj në varr. Sipas burimeve nga policia e Lushnjës, mësohet se 47-vjeçarja ka pirë afro 10 kokrra fostoksinë, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme, duke mos pasur mundësi shpëtimi. Në fakt, i shoqi me të mbërritur në shtëpi, kur e ka parë gruan të shtrirë, ka lajmëruar menjëherë ambulancën, por me të mbërritur, ndërhyrja e mjekëve ka qenë e kotë.
Helmimi
Fill pas kësaj, në një gjendje tejet të rënduar, ai është larguar për në shtëpinë e tij dhe ka bërë të njëjtën gjë si gruaja, duke pirë edhe ai fostoksinë, pasi e ka pasur shumë të vështirë kalimin e kësaj situate. Kanë qenë fqinjët e tij që e kanë gjetur në shtëpi në gjendje shumë të rëndë, të cilët e kanë dërguar edhe atë menjëherë në spitalin e Lushnjës, dhe tashmë ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve, të cilët ende nuk kanë dhënë një shpjegim për gjendjen e tij, por kanë shtuar se ai vazhdon të jetë ende në gjendje të vështirë për jetën. Sipas tyre, duhet të priten orët në vazhdim për të folur për gjendjen e tij.