Hetimi i shpërthimit, përfaqësuesit e ACR në prokurori
Burime pranë Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë bëjnë me dije se në bashkëpunim me avokatë të njohur po përgatitet një padi ndaj qeverisë dhe ACR-së
BULQIZË Në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër janë paraqitur përfaqësuesit e firmës koncesionare ‘Albanian Chrom’, për të dëshmuar në lidhje me shpërthimin e gazit në minierën e Bulqizës, ku vdiq një minator dhe u plagosën 8-të tjerë. Tragjedia ndodhi në nivelin nr.16 të minierës, në pusin numër 2 që pritej të hapej, pjesë e kompanisë ACR. Nga hetimi paraprak rezulton se kompania ACR ka shkelur rregullat e sigurimit teknik në punë dhe të sigurimit fizik të jetës së minatorëve. Një lajm të tillë e konfirmon numri një i prokurorisë së Dibrës, Hysni Vata, i cili shprehet se po merren dëshmi, prova e fakte për të zbardhur plotësisht shpërthimin e gazit në minierë. “Është një çështje delikate, por ne po hetojmë intensivisht për zbardhjen e plotë të saj”-theksoi Vata. Ndërkohë vijon inspektimi në minierë nga AKBN dhe RISHM-i në të gjitha frontet e punës në minierë. Pas këtij kontrolli, nga specialistët do të dilet me një deklaratë zyrtare se kur do të rifillojë sërish puna në minierën e Bulqizës, dhe se ç’detyra do t’u lihen drejtuesve të firmës ACR për ndjekje. Ndërkaq, burime pranë Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë bëjnë me dije se në bashkëpunim me avokatë të njohur po përgatitet një padi ndaj qeverisë dhe ACR-së për “humbje jete” të minatorëve për faj të shtetit dhe firmës së huaj. Zyrtarë të KSSH-së thanë dje se kanë hyrë në bisedime me familjarët e viktimave të minierës, për të imituar padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit, për të mundësuar ndërkombëtarizimin e vdekjeve në minierë. “E kemi thënë që në krye të herës, tha për “Mapo”-n Kol Nikollaj, shpërthimi i fundit nuk është gabim njerëzor, por një gabim i shtetit dhe ACR që nuk mori parasysh kërkesat tona të vazhdueshme për kushte më të mira pune”. Sipas tij, çështja do të dërgohet në Strasburg dhe nga andej do të kërkohet drejtësi për viktimat e minierës së kromit Bulqizë.P. HASA