E Hënë, 2 Nëntor 2026

U vodhën 15 milionë euro evropianëve me call center, GJKKO dënon autorët me 23 vite burgim

Mendim Domi, tashmë i prangosur prej 2 vitesh nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Jusel Micin ngritën një call center dhe përmes mashtrimit u zhvatën 15 milionë euro evropianëve.

Gjithçka ndodhi në vitin 2022, ndërsa në nëntor të vitit 2023 ata u arrestuan, ku SPAK më pas i mori të pandehur dhe pasi u sekuestroi pronat e vëna duke zbatuar këtë skemë mashtrimi, këtë të mërkurë Gjykata e Posaçme vendosi t’i dënojë ata me 23 vite burgim.

Në njoftimin e shpërndarë për mediet, togat e zeza saktësojnë se u dënua me 12 vite burg Jusel Mici dhe me 11 vite burg për bashkëpunëtori i tij, Mendim Domi.

Mici përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 8 vite burg, ndërsa Domi, 7 vite e 4 muaj burg dhe dënimin do e kryejnë në një burg të sigurisë së lartë.

Treshja e gjyqtarëve, Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj vendosën po ashtu konfiskimin e 14 pasurive në pronësi të Micit dhe Domit, apo edhe familjarëve të tyre, mes të cilave apartamente, toka, llogari bankare, biznese, vila, garazhe, automjete luksoze.

Mici dhe Domi u dënuan për veprat penale: Mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›