E Martë, 3 Nëntor 2026

U vra në Itali, Bashkia e Lushnjës do të financojë kthimin e trupit në atdhe të Klajdi Bitrit

Bashkia e Lushnjës bëri të ditur të martën se do të ndihmojë financiarisht për kthimin në Shqipëri të trupit të Klajdi Bitrit, 23-vjeçari që u vra në Itali nga një algjerian.

Pak orë në parë babi i Bitrit bëri apel për ndihmë nga autoritetet shtetërore si në aspektin procedural dhe atë financiar, për kthimin e trupit të viktimës në Shqipëri, që ai të prehet në vendlindjen e tij.

Pas thirrjes për ndihmë kryetarja e bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa, ka zhvilluar një takim me babain e Klajdi Bitrit, duke e garantuar se do t’i propozojë këshillit bashkiak të Lushnjës, kalimin e një fondi që do të mbulonte shpenzimet për kthimin e trupit të 23 vjeçarit në atdhe.

Bashkia e Lushnjes po përgatit futjen e materialit për ndihmë financiare në mbledhjen e radhës që këshilli bashkiak do të ketë ditën e enjte. 23-vjeçari Klajdi Bitri, humbi jetën ditën e dielë në Itali, ku një shtetas nga Algjeria e qëlloi me armë me shtizë.

Xhuliano Bitri, vëllai i viktimës ka kërkuar drejtësi për vrasjen e Klajdit. I ndjeri ishte emigrant në Itali prej disa vitesh dhe gjeti vdekjen në tentativë për të shuar konfliktin mes mikut të tij dhe autorit të krimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›