U zbulua lapidari për heroin, Xhevat Jusufi

Zyrtarë të lartë institucioneve kosovare dhe atyre lokale, qytetarë dhe mysafirë të shumtë morën pjesë të enjten në Smrekonicë të Mitrovicës, në zbulimin e lapidarit të heroit, Xhevat Jusufi. Lapidari u zbulua në 14 vjetorin e rënies së heroit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe nëna e heroit, Hava Jusufi.
Paraprakisht në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” u mbajt një akademi përkujtimore për heroin, Xhevat Jusufi, i cili kishte rënë në ballë të detyrës më 3 janar të vitit 1999 duke qenë komandant i Logjistikës në Zonën Operative të Shalës. Figura e heroit nga Vidishiqi i Shalës së Bajgorës, u vlerësua lartë nga folësit në akademi, të cilët shprehën kënaqësi që në vitin e fundit Xhevat Jusufi u shpall hero i Kosovës nga presidentja, Atifete Jahjaga.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se rrugëtimi i heroit ka qenë tepër i gjatë dhe me shumë sakrifica. “Figura e Xhevat Jusufit u ngrit në piedestalin më të lartë të Kosovës”.
Për momentet e rënies ka rrëfyer bashkëluftëtari i heroit, gjeneral. Zymer Halimi, i cili ju kishte mbijetuar plagëve në pritën që kishin organizuar forcat serbe. Ai tha se momentet e tilla vetëm mund të përjetohen, por është shumë vështirë të evokohen.
Një kumtesë për jetën dhe veprën e heroit, Xhevat Jusufi, e mbajti profesori, Haki Kasumi. Ai foli për aktivitetet e heroit para se të kyçej në luftë, ku qoftë si mësimdhënës apo drejtor shkolle në Bare të Shalës, e dha kontributin e tij në sensibilizimin e çështjes kombëtare.
Kasumi tha se pas fillimit të rezistencës së armatosur në Kosovë dhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavt Jusufui iu bashkua radhëve të kësaj ushtrie. “Ky veprim i drejtë në momentin e duhur ishte reflektim i zërit të arsyes së një shqiptari që kishte përgatitje profesionale me grada ushtarake”. /Indeksonline/