E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon hetimet ndaj kreut të Vitisë

Prokuroria e qarkut në Gjilan ka pushuar hetimet ndaj kryetarit të komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, rreth rastit për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së një fondi në vlerë prej 60 mijë eurove, të dedikuara për pendën mbi lumin Morava, njofton koha.

Kryetari i Vitisë ka bërë të njohur të enjten se prokuroria e qarkut dhe ajo e EULEX-it, në Gjilan, kanë marrë vendim që të ndërpresin hetimet ndaj tij këtij rasti. “Sot kam marr vendimin, me të cilin më është bërë e njohur që prokuroria e qarkut në Gjilan, bazuar në dëshmitë e ofruara nga Komuna dhe ekspertiza e bërë për rastin e pendës mbi lumin Morava, nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta përcjellë rastin në gjykatë, andaj ka ndërprerë të gjitha hetimet rreth këtij rasti”, ka thënë Arifi.

Arifi ishte akuzuar se ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi ka paguar nga buxheti komunal një shumë prej rreth 60 mijë eurove për lidhje të kontratës me kompaninë VDS të Zvicrës, për studimin e fazës së fizibilitetit për ndërtimin e pendës mbi lumin Morava. Për këtë rast prokuroria e qarkut kishte filluar hetimet në verën e vitit të kaluar. Pas fillimit të hetimeve, Arifi ishte deklaruar publikisht se nuk e ndien vetën fajtor, pasi mjetet për kompaninë zvicerane ishin dhënë në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal dhe se ndërtimi i kësaj pende është dashur të bëhet sipas një marrëveshje të nënshkruar mes Komunës dhe kompanisë VDS.

“Në bazë të marrëveshjes, palët kontraktuese janë pajtuar që çdo kontest rreth implementimit të marrëveshjes të zgjidhet përmes gjykatës, dhe për këtë Komuna e ka dërguar lëndën në gjykatë për zgjidhjen e problemit me kompaninë VDS, e cila nuk i është përmbajtur marrëveshjes”, ishte shprehur Arifi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›