U zhduk tre muaj më parë, trupi gjendet në kabinë elektrike
DURRËS- Merr fund enigma 3- mujore e zhdukjes së një të riu, i cili u gjet dje i dekompozuar në një kabinë elektrike. Pikërisht tre muaj më parë është bërë një denoncim mbi zhdukjen pa gjurmë të një të riu, i cili kishte dalë si zakonisht nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më. Por trupi i tij u gjet dje, krejt rastësisht nga banorët e fshatit Xhafzotaj, brenda një kabine elektrike në afërsi të stacionit të autobuzit. Ekspertimi i hollësishëm dhe ballafaqimi me të afërm ka bërë që grupi hetimor në vendngjarje të arrijë në konkluzionin se trupi i pajetë, i gjendur në ambientet e kabinës elektrike të fshatit Xhafzotaji përkiste 27- vjeçarit të zhdukur 3 muaj më parë, Alket Ballës. Ka qenë një banor që ka kaluar dhe nën ndikimin e erës së rëndë, ka parë në brendësi të një kabine elektrike pranë rrugës. Kur ka hapur derën, është shokuar nën trysninë e pamjes makabre që i është shfaqur para syve.
Trupi i dekompozuar është zbuluar mesditën e djeshme, rreth orës 14 e 30. Policia pasi ka verifikuar vendgjetjen e trupit të të riut dhe ka bërë të gjitha analizat shkencore, ka bërë me dije se viktima ishte i moshës 27-vjeç dhe banor i zonës pranë vendit ku ai ka vdekur, në stacionin Zooteknik të Xhafzotajt. Nga të dhënat e policisë thuhet se Alket Balla, 27-vjeç ka gjetur vdekjen ende në rrethana të paqarta në afërsi të fshatit Xhafzotaj. Ky shtetas rezulton të jetë larguar nga banesa prej më shumë se tre muajsh. Familjarët e kanë kërkuar tek të afërmit dhe pasi nuk kanë mundur ta gjejnë, kanë shpresuar tek ndonjë lajm që mund t’iu shkonte prej tij. Mesditën e djeshme, Alket Balla u gjet i vdekur dhe pa asnjë shenjë dhune në trup, megjithatë është ende herët për të mësuar shkakun ngase trupi ka qenë i dekompozuar. Edhe pse nuk i është nështruar ende autopsisë dhe këqyrjes nga mjekë ligjorë, të gjitha pistat e dërgojnë policinë drejt një vdekjeje natyrale.
Megjithëse dyshohet për një vdekje aksidentale, motra e viktimës Alket Balla ka dëshmuar në polici disa probleme të të ndjerit, duke shtuar dyshimet për këtë vdekje. Motra e të vdekurit ka qenë i vetmi person që i ka dhënë mundësi policisë të identifikojë kufomën, e cila ishte shumë e dëmtuar për shkak të kohës së gjatë të qëndrimit në brendësi të kabinës elektrike të fshatit. Ajo i ka dhënë policië edhe detaje të tjera për të zbardhur ngjarjen duke lehtësuar deri diku grupin hetimor, i cili ka hedhur disa pista lidhur me këtë ngjarje. Balla ka qenë nën një trysni emocionale para zhdukjes, pasi ai ishte i divorcuar nga e shoqja, gjë që e kishte rënduar mjaft shpirtërisht dhe kishte bërë që ai të ndodhej vazhdimisht nën stres. Prej më shumë se një viti, viktima nuk kishte parë me sy djalin e tij të vetëm dhe kjo e ka shtyrë atë drejt krizës mendore, e cila i ka ardhur gjithnjë dhe duke iu rënduar më tej. Madje ai në muajt e fundit është mbyllur në vetmi duke mos pranuar të komunikojë me prindërit apo me të motrën edhe pse ata i kanë kushtuar kujdes. Kjo gjendje e rënduar emocionale ka shtyrë policinë të dyshojë edhe për ndonjë vetëvrasje të mundshme të Alket Ballës.