Strugë, nxënësit kthehen në mësim
Maqedoni - Nxënësit të cilët prej katër javësh e bojkotonin mësimin me kërkesë për vendosjen e ndërrimeve gjuhësore në shkollat "Niko Nestor" dhe "Ibrahim Temo" në Strugë, prej sot do të kthehen në mësim.
Kjo është vendosur të shtunën, pasi Qeveria dhe autoritetet e qytetit të Strugës prindërve dhe nxënësve u premtuan se së shpejti do të dalin me zgjidhje finale për problemin.
"U morëm vesh që deri më 13 tetor të dalim me zgjidhje konkrete për problemin me atë që nxënësit prej të hënës do të fillojnë rregullisht ta ndjekin mësimin pa humbur me këtë rast orë mësimi", deklaroi pas takimit ministri i Arsimit, Pero Stojanoski.
Krahas tij në takimin me prindërit dhe gjimnazistët ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Abdulaqim Ademi, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Bajram Xhelali, kryetari i Strugës, Ramiz Merko dhe drejtorët e shkollave të mesme "Niko Nestor" dhe "Ibrahim Temo".
Prindërit e nxënësve maqedonas edhe më tutje këmbëngulin në vendosjen e ndërrimeve gjuhësore mbi baza etnike, me çka, sipas tyre, do të evitohen incidentet si gjatë vitit të kaluar shkollor pas të cilave filloi bojkotimi i mësimit. Sipas kompetentëve, problem kryesor për zgjidhjen e problemeve në qendrës e mesme shkollore në Strugë është mungesa e kushteve hapësinore për ndjekjen normale të mësimit.
Zgjidhjen e çështjeve të hapura, siç u theksua, bashkërisht do ta kërkojnë Qeveria dhe vetë administrata lokale.Makfax