UASHINGTON – Hegseth: SHBA-së nuk i kanë mbaruar municionet për shkak të luftës me Iranin

UASHINGTON, 12 maj /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth hodhi poshtë pretendimet se lufta kundër Iranit ka varfëruar rezervat e raketave dhe municioneve amerikane, ndërsa demokratët thanë se vendi është i rrezikuar nga sulmet.
“Ne e dimë saktësisht se çfarë kemi. Ne kemi shumë nga ajo që na nevojitet”, tha Hegseth gjatë një seance dëgjimore para një nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyr shpenzimet e mbrojtjes.
Senatori demokrat Mark Kelly shkaktoi debat të dielën, duke thënë se i ishte dukur “tronditëse” se si u zbrasën disa municione për shkak të luftës, duke cituar njoftimet e Pentagonit mbi rezervat e raketave “Tomahawk”, ATACMS dhe “Patriot”.
Kelly, i cili është anëtar i komiteteve të Shërbimeve të Armatosura dhe Inteligjencës së Senatit, tha në programin e CBS “Face The Nation” se do të duheshin vite për të rimbushur ato rezerva.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja mund të mos ishte në gjendje të mbrohej, në rast të një sulmi të vazhdueshëm, si rezultat i luftës së presidentit amerikan, Donald Trump kundër Iranit, e cila sipas tij u nis pa një qëllim strategjik, pa një plan, pa një afat kohor.
“Sigurisht, do të jemi në një pozicion më të keq sesa do të ishim nëse kjo luftë në Iran nuk do të ndodhte”, tha Kelly.
Hegseth e përshkroi çështjen e theksuar nga Kelly si të ekzagjeruar në mënyrë të pamend dhe të padobishme.
Shefat e Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine theksoi se komandat rajonale të SHBA-së kishin raportuar praninë e municioneve të mjaftueshme për misionet e tyre aktuale.//a.i/