E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – Netanyahu: Izraeli do të lehtësojë barrierat tregtare me SHBA-në

UASHINGTON, 8 prill /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha dje se Izraeli planifikon të ulë tarifat dhe të lehtësojë barrierat tregtare me SHBA-në.

“Ne synojmë ta bëjmë shumë shpejt”, tha Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se qëllimi ishte gjithashtu të reduktonte deficitin tregtar me SHBA-në.

Netanyahu është lideri i parë i huaj që pritet në Shtëpinë e Bardhë për bisedime, që kur qeveria amerikane shpalli tarifat e reja prej 10% për importet nga pothuajse të gjithë partnerët e saj tregtarë.

SHBA-ja është aleati më i rëndësishëm i Izraelit dhe megjithatë vendi nuk u përjashtua nga tarifat e reja gjithëpërfshirëse prej 17% që do të vendosen në importet izraelite nga dita e  nesërme.

Para takimit, Netanyahu deklaroi se synonte të diskutonte paketën e re tarifore të SHBA-së, përpjekjet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës dhe kërcënimin e paraqitur nga Irani.

Trump priti Netanyahun në fillim të shkurtit – në atë që u pa si një gjest mbështetjeje për kryeministrin izraelit – i cili ka marrë kritika të forta ndërkombëtare për luftën e vazhdueshme në Gazë.

Gjatë vizitës, Trump tha se synonte që SHBA-ja të merrte kontrollin e Rripit të Gazës të shkatërruar nga lufta për të zhvilluar rajonin.

Sipas planit të tij, banorët e Gazës do të zhvendoseshin në kombet arabe dhe territori do të shndërrohet në “Rivierën e Lindjes së Mesme”. /  /i.s/ //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›