Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Raouna: Moment historik në procesin negociues të Shqipërisë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Sot në Bruksel do të mbahet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, e cila hap zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin në BE.
Zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna, e cilësoi Konferencën Ndërqeveritare dhe diskutimet mbi kushtet e ndërmjetme për Grupkapitullin “Themelorët” si një hap vendimtar dhe historik në procesin negociues të Shqipërisë.
“Sot do të zhvillojmë dialogun specifik për vendin, për sundimin e ligjit, i cili është instrument kyç për garantimin e sundimit të ligjit. Ndërsa ditën e sotme do ta përmbyllim me Konferencën Ndërqeveritare në kuadër të negociatave të Shqipërisë.
Ajo do të fokusohet në kushtete ndërmjetme, të cilat i quajmë IBAR për Grupkapitullin “Themelorët”. Ky është një hap kyç dhe një moment historik i vërtetë në procesin negociues të Shqipërisë”, tha ajo.
Konferenca ndërqeveritare vjen pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
/m.q/r.e/