UASHINGTON – SHBA: Izraeli ka arritur shumicën e qëllimeve të tij ushtarake në Gazë

UASHINGTON, 3 qershor /ATSH-DPA/- Uashingtoni po ushtron presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës pas një propozimi për një marrëveshje armëpushimi të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Drejtori i Komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha për ABC News se “vetëm nga një perspektivë ushtarake… izraelitët kanë përmbushur shumicën e qëllimeve të tyre në Gazë”.
“SHBA-ja nuk ka thënë se organizata militante palestineze Hamas, nuk ka kapacitete ushtarake. Ne nuk kemi thënë se ata nuk përfaqësojnë një kërcënim të qëndrueshëm për popullin izraelit”, theksoi Kirby.
“Por, ata nuk kanë aftësitë ushtarake për të bërë atë që bënë më 7 tetor”, tha ai.
Biden prezantoi të premten detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gazë.
Marrëveshja përcakton planet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez dhe rindërtimin e Rripit të Gazës.
Ndërsa Uashingtoni tha se Izraeli kishte miratuar planin, disa anëtarë të ekstremit të djathtë të qeverisë izraelite kërcënuan të shtunën se do të tërhiqen nga koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu në rast se marrëveshja pranohej.
Pas fjalimit të Biden, Netanyahu përsëriti qëndrimin e qeverisë së tij se vendosja e parakushteve për paqen është shkatërrimi i lidershipit dhe aftësive ushtarake të Hamasit dhe kthimi i të gjithë pengjeve.
Ndërkohë Hamasi këmbëngul për t’i dhënë fund luftës përpara se të lirojë pengje të tjera.
Kirby theksoi se marrëveshja ishte një “propozim izraelit”. Ai tha gjithashtu se Uashingtoni pret që Izraeli të pajtohet me planin për një armëpushim nëse Hamasi bie dakord, duke shtuar se militantët duhet të japin një përgjigje zyrtare. //a.i/