E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-Kinë bisedime ekonomike përpara kthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 11 dhjetor /ATSH-AFP/- Zyrtarët ekonomikë në administratën e presidentit në largim Joe Biden do të takojnë homologët e tyre kinezë këtë javë për bisedime, në një përpjekje përfundimtare për të forcuar lidhjet përpara kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Bisedimet vijnë ndërsa sekretarja e Thesarit, Janet Yellen theksoi sot në një intervistë nevojën për komunikim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet – për të shmangur përkeqësimin e panevojshëm në marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Mosmarrëveshjet ekonomike dhe tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë vazhduar të rriten gjatë kohës së Bidenit në detyrë.

Por, tensionet mund të rriten më tej nën drejtimin e Trump, i cili ka kërcënuar me rritje gjithëpërfshirëse të tarifave për mallrat kineze përpara presidencës së tij.

“Është e rëndësishme të kemi një komunikim të hapur”, tha Yellen “Bloomberg”, duke paralajmëruar se propozimi i rritjes së tarifave nga Trump ka të ngjarë të shkaktojë hakmarrje.

Për momentin, zyrtarët amerikanë po kërkojnë të përforcojnë kanalet e komunikimit për çështjet ekonomike.

“Zyrtarët e Thesarit pritet të ngrenë çështje shqetësuese si kufizimet e fundit të eksportit kinez për disa minerale kyçe”, tha një zëdhënës i departamentit.

Ata do të diskutojnë gjithashtu zhbalancimet makroekonomike të Kinës dhe kapacitetet e tepërta industriale, të cilat ata besojnë se përpjekjet e fundit stimuluese të politikave nga ligjvënësit kinezë nuk i kanë trajtuar plotësisht.

Zyrtarët e Thesarit dhe përfaqësuesit e agjencive të tjera do të udhëtojnë gjithashtu në qytetin lindor kinez, Nanjing, për një takim të grupit financiar të punës që do të zhvillohet të dielën dhe të hënën.

Delegacioni i Kinës pritet të kryesohet nga zëvendësguvernatori i Bankës Popullore të Kinës, Xuan Changneng. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›