UASHINGTON – SHBA dhe Armenia nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëpunim strategjik

UASHINGTON, 15 janar /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Armenia, e cila deri më tani ka qenë aleate e ngushtë me Rusinë, kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim strategjik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij, Ararat Mirzoyan nënshkruan marrëveshjen dje në Uashington.
Blinken e përshkroi marrëveshjen si një moment historik në bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, mbrojtjes, sigurisë dhe demokratizimit.
Marrëveshja përfshin ndihmën e SHBA-së për reformat ekonomike dhe ushtarake në ish-republikën sovjetike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës siguruan Armeninë për mbështetje në ruajtjen e sovranitetit dhe paprekshmërinë e kufijve të saj.
Kjo është e rëndësishme për Jerevanin për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Azerbajxhanin fqinj.
Armenia është e përkushtuar t’i përmbahet demokratizimit.
Marrëdhënia e Armenisë me Rusinë, e cila është parë prej kohësh si mbrojtësja e Armenisë në rajon, është ftohur që kur kryeministri pro-perëndimor Nikol Pashinyan mori detyrën në maj 2018.
Jerevani, kohët e fundit është distancuar nga aleanca ushtarake e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), e dominuar nga Moska – në të cilën Armenia është anëtare themeluese.
Rusia vazhdon të mbajë një bazë ushtarake në Armeni.
Moska akuzoi dje Uashingtonin se po luan një rol destabilizues në Kaukazin Jugor.
“SHBA-ja nuk ka luajtur kurrë një rol stabilizues në Kaukazin Jugor, por anasjelltas”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në Moskë.
Ai akuzoi SHBA-në për përpjekje për të zhvendosur vende të tjera në axhendën e saj.
Në të njëjtën kohë, Peskov theksoi se Armenia kishte të drejtë të diversifikonte marrëdhëniet e saj – duke shtuar se Moska vazhdonte të ishte e interesuar për marrëdhënie të mira me ish-republikën sovjetike. //a.i/