E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja sanksionon rrjetin që dërgon naftë iraniane në Kinë

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH-AFP/- Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi sot sanksione financiare – të parat nën administratën e re të Donald Trump – që shënjestrojnë një “rrjet ndërkombëtar” të akuzuar për dërgimin e naftës iraniane në Kinë për të financuar aktivitetet ushtarake të Teheranit.

“Sanksionet synojnë rrjetin për lehtësimin e dërgesës së miliona fuçive me naftë bruto iraniane me vlerë qindra miliona dollarë në Republikën Popullore të Kinës”, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Thesarit në një deklaratë.

“Nafta u dërgua në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit dhe një kompanie të sanksionuar të quajtur “Sepehr Energy Jahan Nama Pars”, thuhet në deklaratë.

“Regjimi iranian mbetet i përqendruar në shfrytëzimin e të ardhurave të tij nga nafta për të financuar zhvillimin e programit të tij bërthamor, për të prodhuar raketat e tij vdekjeprurëse balistike dhe mjete ajrore pa pilot, dhe për të mbështetur grupet e tij terroriste rajonale”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“SHBA-ja është e përkushtuar për të shënjestruar në mënyrë agresive çdo përpjekje të Iranit për të siguruar fonde për këto aktivitete keqdashëse”, shtoi ai.

Masat e Thesarit pasojnë vendimin e fundit të presidentit Trump për të rikthyer fushatën e tij të ashtuquajtur “presion maksimal” kundër Iranit lidhur me akuzat se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Trump nënshkroi një memorandum të martën duke rivendosur politikën e ashpër të sanksioneve kundër Iranit, të ngjashme me ato që vendosi gjatë mandatit të tij të parë.

Memorandumi udhëzon çdo departament në qeverinë amerikane të hartojë sanksione ndaj Iranit, veçanërisht në lidhje me aktivitetet bërthamore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›