UEFA Europa League, Egnatia barazon 0-0 me Lillestrøm, gjithçka vendoset në Norvegji

TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Kampionët e Egnatias kanë barazuar sot në ndeshjen e parë të play-off-it të UEFA Europa League ndaj norvegjezëve të Lillestrøm.
Rrogozhinasit u ndanë sot në barazim pa gola në takimin e luajtur në “Arena Egnatia”, pas një ndeshjeje të ardhur në rritje nga minuta në minutë e ku duhet të theksohet se patën edhe fatin me vete në disa raste.
Ekipi rrogozhinas e nisi ndeshjen pa dy lojtarë të rëndësishëm në formacion, pasi Ndreca ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori në turin paraardhës. Ndërsa Haime mungonte dhe nuk figuronte as në stolin e rezervave.
Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të kujdesshme dhe të organizuar, duke u mbrojtur mirë dhe duke krijuar disa raste të mira për të shënuar.
Rrogozhinasit patën mundësitë e tyre gjatë takimit, por nuk arritën t’i konkretizonin. Rastin më i rrezikshëm ishte në pjesë e dytë, ku goditja me kokë e Grudës u ndal nga traversa.
Pas këtij rezultati, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Egnatia do të udhëtojë në Norvegji për të luajtur aktin e dytë të kësaj përballjeje, ku do të kërkojë fitoren dhe kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League.
Pas përmbysjes spektakolare ndaj Shamrock Rovers, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në play-off-in e Europa League, duke garantuar njëkohësisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League.
Ndeshja e kthimit do të luhet në Norvegji pas një jave, në orën 19:00.