E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA Nations League, dalin në shitje biletat për ndeshjet Shqipëri-Bjellorusi dhe Shqipëri-San Marino

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kanë dalë në shitje biletat për dy ndeshjet që Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë në stadiumin “Air Albania” në kuadër të edicionit të ri të UEFA Nations League.

Shqipëria do ta nisë fushatën në shtëpi më 26 shtator, përballë Bjellorusisë, ndërsa më 6 tetor do të presë San Marinon, në sfidën e dytë që do të zhvillohet në “Air Albania”.

Dy takimet janë pjesë e katër ndeshjeve të para të Shqipërisë në Grupin 1 të Ligës C, që do të zhvillohen gjatë muajve shtator dhe tetor. Kuqezinjtë do të luajnë gjithashtu dy ndeshje në transfertë, më 29 shtator dhe 3 tetor.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka bërë të ditur se biletat për dy ndeshjet në Tiranë janë të ndara sipas kategorive të stadiumit “Air Albania”, ndërsa çmimet nisin nga 500 lekë.

FSHF u ka bërë thirrje tifozëve dhe futbolldashësve shqiptarë që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin Kombëtaren në këtë rrugëtim të ri në Nations League.

Mbështetja e tifozëve shihet si një faktor i rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët synojnë ta mbyllin grupin në vendin e parë dhe të sigurojnë një pozicion sa më të favorshëm në rrugëtimin drejt kualifikimit për EURO 2028.

Federata ka theksuar se biletat do të shiten vetëm online përmes platformës ebileta.al, ndërsa çdo faqe tjetër që ofron shitjen e tyre konsiderohet e paautorizuar.

Për blerjen e biletës, tifozët duhet fillimisht të regjistrohen në platformë me një adresë e-mail-i, më pas të zgjedhin tribunën dhe ulësen e dëshiruar.

Pas përzgjedhjes së ulëseve, duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara për biletën, përfshirë emrin, mbiemrin dhe adresën e e-mailit, dhe në përfundim të kryhet pagesa me kartë.

Pas konfirmimit të pagesës, bileta elektronike dërgohet në adresën e e-mail-it me të cilën është kryer regjistrimi në platformë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›