E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET Press, dhuratë për 80-vjetorin e Agollit

SHKRUAN: Suadela Balliu 14-10-2011 12:47

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së poetit, prozatorit, dramaturgut dhe eseistit, botimet UET Press promovojnë ditën e premte në orën 18:00 në hollin e Universitetit Europian të Tiranës librin “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”, një libër ku përmblidhen 50 vjet intervista, mendime, polemika, esse të njeriut që ka lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të Shqipërisë.

“Çdo krijues e ka të vështirë të flasë për veten e vet, pasi edhe veprat, romanet apo poemat i shkruan për të tjerët...”, do t’i përgjigjej shkrimtari pyetjes që gazetari nga “Zëri i Rinisë” i drejtonte për numrin e 21 nëntorit të vitit 1973 mbi të ardhmen e letërsisë. Pas afro 50 vitesh, për Dritëroin flet vepra, veprimtaria e tij publike dhe roli i rëndësishëm në zhvillimet e historisë së vendit. Për këtë, Botimet UET Press, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, promovojnë librin “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”. Një libër që përmbledh 50 vite histori të Dritëro Agollit, që vijnë në faqe mes intervistash që datojnë prej fillimviteve ’70 e deri në ditët e sotme, mendime e polemika në të dyja epokat e rëndësishme të historisë së vendit.

Në tetëdhjetëvjetorin e jetës Dritëro Agolli mbetet shkrimtari me talentin e tij të patjetërsueshëm. I njëjti njeri siç e njohin miq, siç e njohin kolegë shkrimtarë, siç e njohin lexues të veprës së tij, siç e njohin aktorët e politikës shqiptare, të cilët gjithnjë i kanë respektuar mendimet e urta dhe gjestet e mençura. Ashtu siç thotë edhe Henri Çili në parathënien e librit: “Nga largësia e tetë dekadave jetë në ‘krye të vendit’, Dritëro Agolli ka shumëçka që mund të thuhet për jetën dhe veprën e tij, për veprimtarinë e tij publike, në shërbim të artit dhe kulturës, në shërbim të shoqërisë dhe popullit të vet. Ka një vepër letrare të plotë, ka një rol të dorës së parë në shumë momente të zhvillimit të historisë së Shqipërisë në këto 50 vjetët e fundit. Talenti, imagjinata, largpamësia dhe humanizmi janë tiparet të padyshimta të jetës dhe veprës së tij”.

Në 285 faqet e librit, i cili lindi si shenjë mirënjohjeje nga Universiteti Europian i Tiranës, pasi shkrimtarit iu akordua titulli “Honoris Causa”, gjendet i kthjellëti, i thelli, i paprituri, hokatari, i natyrshmi Dritëro, njeriu i vizioneve letrare dhe atyre shoqërore.

Me frymën kritike, jo konvencionalizmin e tij origjinal, humanizmin e spikatur intervistat polemikat esetë e tij, flasin për poetikën, prozën, artin shqiptar, intelektualët, politikën, vlerat, pushtetin, frikën kompromisin, diktatorë, demokraci e pluralizëm.

“Agolli, “njeriu i mirë”, ia doli të ishte pedagogu dhe kolegu i shumë gazetarëve të viteve ‘70-‘80, duke nxitur tek ata frymën kritike, kundër skematizmit dhe mediokritetit dhe, shtuar kësaj, të mbështesë personalisht shumë talente të reja. Dritëroi, veç kësaj, e ndikoi fort fjalën e shkruar shqipe me stilin e tij origjinal, me verbin e tij të fuqishëm, me guximin për të shpërthyer mërzinë apo dëshpërimin e kohës së vet”, vijon Henri Çili.

“Ne shpeshherë, si njerëz, i kundërshtojmë vetvetes, hahemi me vetveten tonë, përpjekim në vetvete mendimet për të gjetur të vërtetën dhe thinjemi...”, thotë Dritëroi. E me gjithë flokët e bardhë, tetëdhjetë vitet mbi supe, ai mbetet i njëjti, me penën gjithnjë të mprehtë dhe mendje të kthjellët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›