Migjeni “zbulohet” në 100-vjetorin e lindjes
Ndërsa në Akademinë e Shkencave miqtë dhe kolegët trokisnin gotat me shkrimtarin Dritëro Agolli, në sallën e vogël “Black Box” të Universitetit të Arteve kishte ende vende bosh në festimet për 100-vjetorin e lindjes së një prej poetëve më “të keqlexuar apo keqinterpretuar”, siç do të shprehej shefja e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Dhurata Shehri. Dje u mbushën plot 100 vjet nga dita e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës (Migjeni). Aktivitetet festive në këtë 100-vjetor kanë nisur në Shkodër, për të vazhduar në Tiranë. Institucionet kulturore dhe Universitetet janë përpjekur të sjellin diçka në këtë jubile të poetit, që është shoqëruar edhe me debate për “harresën” e pamerituar në vitin që duhej të kishte marrë emrin e tij: Viti i Migjenit. Gjithsesi, sot nuk kanë munguar veprimtaritë e organizuara në homazh të Migjenit, që nisi me konferencën shkencore “100 vjet me Migjenin”, që u zhvillua dje në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, organizuar nga Qendra Studimore Albanologjike në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë, në Fakultetin e Histori-Filologjisë. U mbajtën disa kumtesa gjatë konferencës, ku secila prej tyre ishte një përpjekje për t’i dhënë meritat e vërteta Migjenit si poet dhe me raste edhe si prozator, duke ndërtuar fjalë pas fjale edhe kumtesë pas kumtese portretin e një poeti dhe një prozatori krejt të panjohur për lexuesit shqiptarë, për me tepër edhe për vetë studentët e Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, që ishin publiku më i shumtë në numër në sallën e Universitetit, me qëllim ridimensionimin e figurës se Millosh Gjergj Nikollës, vargjet e të cilit gjatë komunizmit, sipas studiuesve, u veshën me nuanca të realizmit socialist. Pas përshëndetjes së kryetarit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, dhe shefes së Departamentit të Letërsisë, Dhurata Shehri, u mbajtën një sërë kumtesash. Spikati kumtesa e Persida Asllanit, titulluar “Migjeni: ndërtimi i poetikës së skandalit”, që ishte një këndvështrim sa interesant aq dhe krejt i panjohur mbi erotikën në poezinë migjeniane. “Nga simbolizmi tek ekspresionizmi: letërsi e art vizual te Lasgushi e Migjeni”, pasoi më pas një tjetër kumtesë nga Laura Smaqi, për të vazhduar me “Teksti biblik në veprën e Migjenit” nga Shaban Sinani; “Migjeni dhe kristianizmi-një debat i hapur” nga Kastriot Gjika; “Migjeni në sistemin letrar shqiptar mes dy luftërash”, nga Eldon Gjika; “Migjeni mes leximit të brendshëm e të jashtëm”, nga Gazmend Krasniqi; “Migjeni në arkivat familjarë të Tivarit”, nga Ardian Marashi etj. Pas kumtesave shkencore në sallë u shfaq “Vrasja e trumcakut”, me regji të Stefan Çapalikut dhe interpretim të studentëve të Universitetit të Arteve. E aktivitetet kanë vijuar edhe gjatë mbrëmjes, ku në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Vasjan Lamit, u shfaq për publikun koncerti poetik “Poema migjeniane”, në interpretimin e artistëve Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Dritan Boriçi. Ndërsa sot Teatri i Operas dhe Baletit mbyll aktivitetet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së poetit, me spektaklin e fjalës, lëvizjes dhe muzikës, titulluar “Migjeniania”.
Kosta Kitanoviç: Migjenin e njoh vetëm nga rrëfimet e mamasë
Mes të ftuarve të shumtë në festimet për 100-vjetorin e Migjenit, nuk mungonin edhe të ftuar të veçantë. Një prej tyre ishte edhe malazezi Kosta Kitanoviç, që ishte ftuar në këtë përvjetori si i afërt i poetit Millosh Gjergj Nikolla. Kosta fliste shumë keq shqip dhe pjesën më të madhe të fjalëve e përziente me serbisht. Por përveç faktit se në venat e tij rridhte i njëjti gjak me poetin, kujtimet e tij rreth ishin shumë të vakëta. “Nuk e kam lexuar Migjenin, sepse unë nuk flas shqip dhe Migjenin nuk është i përkthyer në serbisht. Vetëm mamaja më fliste për të dhe për faktin që ai ka vdekur shumë i ri”- përgjigjej Kosta përmes përkthyesit që na la ta kuptonte se pinjolli malazez i poetit nuk ka dëshirë të flasë për të afërmin e tij.
Botimi i vitit 1936 i “Vargjeve të lira” në fondin e Bibliotekës Kombëtare
“Vargjet e lira” botuar në vitin 1936 nën logon e shtypshkronjës Gutenberg u gjetën rastësisht në fondin e Bibliotekës Kombëtare, që drejtori i saj Aurel Plasari i bën publike pikërisht me rastin e 100-vjetorit të Migjenit. Botimi i gjetur para dy vitesh nuk ka kapak dhe është vepra që iu ndalua botimi. Interesante në këtë ekzemplar që është pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare është fakti se ky botim mban vitin 1936 dhe është me shumë rëndësi për t’u studiuar, sepse është botuar ndërkohë që Migjeni ishte ende gjallë. “Vargjet e lira” e panë dritën e botimit vetëm pas vdekjes së poetit.