UK, pranon abuzimet me faturat

Rreth 10 mijë konsumatorë kryeqytetas janë mbifaturuar në sasi që shkojnë nga 30 deri në 50 metër/kub
Drejtori Përgjithshëm i ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, Sahit Dollapi, ka preferuar që akuzave drejtuar institucionit që ai drejton t'i përgjigjet në një dalje publike për shtyp. Kështu, dje në praninë e gazetarëve, ai ka hedhur dritë ndaj një sërë ankesash të qytetarëve të Tiranës.
Ujësjellësi i Tiranës, gjatë muajve Janar - Shkurt, ka bërë një kontroll total të 151 mijë konsumatorëve të qytetit të Tiranës, të cilët kanë kontratë me Ujësjellësin e Tiranës. Nga këto inspektime të UK, rezultoi se 9335 konsumatorë janë mbifaturuar në sasi të vogla që shkojnë nga 30 deri në 50 metër/kub; 4270 janë konsumatorë, të cilët kanë gjendje në matësit e tyre, pra kanë sasi uji të pafaturuar dhe 18200 konsumatorë janë me faturë zero, të cilët po verifikohen rast pas rasti, për të gjetur se cilat janë arsyet e faturimit zero.
Drejtori Dollapi konfirmoi se deri tani janë kontrolluar rreth 950 konsumatorë dhe rezulton se këta qytetarë, që kanë ankimuar për sasinë e faturuar të ujit, kanë gjendje reale në matësit e tyre.
"UKT-ja ka arritur në një marrëveshje me konsumatorët, që e gjithë sasia e ujit, e gjendur në matës deri më datën 28.02.2010, do të faturohet me çmimin e vjetër, pra me çmimin 20 lekë për metër/kub.
Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, garantoi qytetarët se "Asnjë metër/kub ujë, e pafaturuar deri me 28 Shkurt 2010, nuk do të llogaritet me çmimet e reja, por me çmimin e vjetër, i cili është aplikuar për çdo rast të evidentuar", ndërsa për sa i përket shkaktarëve të kësaj problematike, kreu i ujësjellësit pohoi se deri tani, janë pushuar nga puna rreth 11 faturues, si dhe janë ndryshuar nga ky pozicion 38 faturues, të cilët kanë kaluar në funksione të tjera.