Shpërblimi i të sapolindurve, ja procedura

Regjistrimi për fëmijët e lindur në Shqipëri duhet të bëhet brenda 60 ditësh. Për ata që kanë lindur jashtë, brenda 90 ditësh
Nuk ka rëndësi nëse fëmija ka lindur në Shqipëri apo jashtë kufijve, të gjitha ata që regjistrohen në zyrën e gjendjes civile mund të përfitojnë shpërblimin prej pesë mijë lekësh. Procedurat që duhet tee ndjekin dy palët e prindërve janë pothuajse të njëjta vetëm afati kohor që kanë në dispozicion është i ndryshëm.
Kështu prindërit që kanë lindur fëmijën në Shqipëri kanë një afat kohor prej 60 ditësh që nga koha e lindjes për të regjistruar fëmijën e tyre. Në këtë rast nëpunësi i gjendjes civile mban aktin e lindjes dhe pajis të interesuarit me certifikatë lindje. Certifikata pasqyron saktë datën e lindjes dhe datën e mbajtjes së aktit të lindjes së fëmijës.
Ndërsa, në rastin e regjistrimit të lindjeve të ndodhura jashtë shtetit, ato duhet të deklarohen brenda afatit 90-ditor nga dita e lindjes, pas kësaj nëpunësi i gjendjes civile pajis prindërit me certifikatën e lindjes, në të cilën do të pasqyrojë saktë datën e lindjes dhe datën e mbajtjes së aktit, kur akti mbahet në këtë zyrë ose datën e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile për raste kur akti është mbajtur jashtë shtetit. Sipas udhëzimit të Ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, të interesuarit do të pajisen me certifikatën "Për efekt shpërblimi, nga regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor".
Për të gjitha këto raste, zyra e gjendjes civile harton një listë mujore dhe e dërgon në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe një kopje zyrës së financës përkatëse. Mee tej, të interesuarit me certifikatën e lindjes duhet të paraqiten në zyrën e financës së bashkisë (të njësisë bashkiake ose të komunës përkatëse), për të tërhequr shumën prej pesë mijë lekësh.
Punonjësi i ngarkuar nga kryetari i bashkisë, pasi administron certifikatën e lindjes me shënimin "Për efekt shpërblimi, nga regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor", e verifikon me listën e hartuar nga zyra e gjendjes civile, kryen pagesën dhe në fund të çdo muaji harton listën e shtetasve, të cilët kanë përfituar nga ky shpërblim, të cilën brenda datës 5 të muajit pasardhës, kryetari i bashkisë e dërgon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme kërkesën për fond, të shoqëruar me listën emërore të fëmijëve të regjistruar brenda afatit ligjor dhe që kanë përfituar ose do të përfitojnë shpërblimin.