E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – “Greenpeace” ngre alarmin për sigurinë bërthamore të centralit të Zaporizhias

KIEV, 18 shtator /ATSH-DPA/ – “Greenpeace” ka akuzuar Rusinë se po saboton furnizimin me energji elektrike të centralit bërthamor të Zaporizhas, i pushtuar nga forcat ruse, duke synuar që më pas të fajësojë Ukrainën për rrezikimin e sigurisë së impiantit.

Organizata mjedisore tha se ka analizuar imazhe satelitore dhe prova të tjera, të cilat, sipas saj, kundërshtojnë pretendimet e Moskës se ndërprerjet e energjisë janë shkaktuar nga sulmet ukrainase.

Shaun Burnie, specialist bërthamor i “Greenpeace Ukraine”, e përshkroi situatën si pjesë të asaj që organizata e konsideron një fushatë dezinformimi nga Moska.

Sipas “Greenpeace”, humbjet e përsëritura të furnizimit të jashtëm me energji lidhen me sulmet ndaj rrjetit elektrik ukrainas dhe me veprime që organizata i cilëson si sabotim në central dhe në nënstacionet përkatëse.

Edhe pse gjashtë reaktorët e centralit janë të fikur, impianti ka ende nevojë për furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike për të mbajtur sistemet e ftohjes së karburantit bërthamor në funksion.

Hetimi i “Greenpeace”, i kryer së bashku me kompaninë britanike “McKenzie Intelligence Services”, paralajmëron se incidentet e sigurisë janë shtuar muajt e fundit.

Sipas organizatës, nga 26 ndërprerje të furnizimit me energji që nga viti 2022, 14 kanë ndodhur që nga shkurti 2026.

Eksperti Jan Vande Putte tha se humbjet e përsëritura të energjisë së jashtme përbëjnë një rrezik themelor për sigurinë e centralit.

Ai paralajmëroi gjithashtu se sulmet ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës mund të ndikojnë edhe në sigurinë e tre centraleve të tjera bërthamore që vazhdojnë të operojnë në vend.

Linja e fundit 330 kilovolt që furnizon centralin u riparua në fillim të shtatorit, pas një ndërprerjeje që zgjati pothuajse tre javë.

Gjatë kësaj periudhe, sistemet e ftohjes u furnizuan nga gjeneratorë me naftë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ndërmjetësoi një armëpushim të kufizuar lokal për të mundësuar riparimin e linjës. Ishte hera e dytë që IAEA ndërmjetësonte një marrëveshje të tillë për të garantuar punimet në infrastrukturën energjetike të centralit./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›