“Na u dënua liria e Kosovës”, qytetarët mes lotësh e revoltës protestojnë kundër vendimit të Hagës

PRISHTINË, 18 shtator/ATSH/ “Na u dënua liria e Kosovës”, “Krenaria janë ata për ne”, “Duam drejtësi” – janë vetëm disa nga thirrjet që qytetarët po i përsërisin në protestat që tashmë prej tre ditësh po mbahen pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për disa prej tyre, pjesëmarrja në protestë edhe të premten, nuk ishte vetëm një reagim ndaj aktgjykimit. Ishte edhe një moment emocional, i lidhur me kujtimet për luftën, viktimat dhe njerëzit që ata i konsiderojnë çlirimtarë.
Kaçanikasi Sherif Toptani kishte ardhur enkas nga Zvicra për të qenë pjesë e protestës. Ai nuk e fshehu emocionin teksa foli për vendimin.
“Ekstra dje kam ardhur nga Zvicra për këtë ditë. Kjo është një shpalosje e marrisë të Evropës, historia po rishkruhet për së dyti herë. Marri, turpi ju çoftë atyre, krenaria janë ata për ne, jam shumë i emocionuar”, tha ai.
Me emocione të forta foli edhe Tahir Llapashtica nga Hajvalia. Ai shpreson që vendimi të rrëzohet në apel, ndërsa tha se protestat do të duhej të kishin nisur shumë më herët.
Por emocionet e tij u shtuan kur foli për Jakup Krasniqin, të cilin tha se e ka pasur shok.
“Fajtor kryesorë është Serbia, me gjithë këta tradhtarët tonë e cila ka shkuar me paditë elitën e kombit. Shpresojmë që apeli do e rrëzojë dhe do të kthehet dikur. Ne duhet të kthehemi në vendin tonë dhe të punojmë e të ndërtojmë. Të jemi shtet si duhet, tash është shumë vonë, mirë që dolëm në demonstrata por shumë vonë, me kohë është dashur. Është dashur të paditen kriminelët. Jo Serbia të na paditë ne.. Jakupin e kam pasur shok, në grup, i uroj shëndet e të kthehet, duke qajtur isha, tash ai do vdes aty, ishalla shpëton”, tha ai.
Nga Gjermania kishte ardhur edhe Burbuqe Bujupi. Ajo tha se merr pjesë në çdo protestë, ndërsa konsideron se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së duhet të jetë edhe më e madhe, që të dëgjohet zëri i qytetarëve.
“Në çdo protestë jam prezente, kjo protestë madhështore do të duhet të ishte më e madhe, ata duhet t’i përkrahim dhe duhet ta dënojmë atë gjykatë serbo-ruse. Poshtë ajo gjykatë, poshtë tradhtarët e këtij vendi, në emrin tim dhe popullit tim i dënoj të gjithë tradhtarët, të cilit dhanë maksimumin që ata të qëndrojnë në burg, ata njerëz që na sollën lirinë, ata janë çlirimtarë tanë, pa ta nuk do të ketë gëzim të lirisë në këtë vend”, u shpreh ajo.
Edhe Blerim Berisha kundërshtoi faktin që aktgjykimi është shqiptuar në emër të popullit të Kosovës.“Gjykata speciale ka marrë vendim gjoja se në emër të popullit, cili popull? Populli u ngrit në këmbë, me diasporë, me Kosovë dhe i gjithë populli është në përkrahje të çlirimtarëve. Andaj, ku merrë të drejtën t’i dënoj në emër të popullit dhe të dënohen nga 25 vite, nau ka dënuar liria e Kosovës, dënimin duhet ta marrë Serbia”, tha Berisha.Ndërsa nga Tetova, për të marrë pjesë në protestë kishte ardhur Fezi Hasipi. Ai e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe ndjehet i zhgënjyer nga vendimi.
“Ata u dënuan padrejtësisht me dëshmi të rrejshme e të sajuara në Beograd. Serbia investoi miliarda euro vetëm të kthej gjykatën në mënyra të ndryshme, me dëshmitarë të rrejshëm e të paguar. Ky dënim na ka zhgënjyer shumë sepse u vra edhe njëherë Kosova, u vranë gratë e dhunuara, viktimat, 1 mijë e 400 fëmijë që u masakruan nga Serbia”, shtoi ai.
Ndërkaq, Bafti Morina tha se me vendimin dënues nga Gjykata Speciale e Hagës, u dënua i gjithë populli i Kosovës.
“Padrejtësisht janë dënuar të katërtit dhe gjithë UÇK-ja. Krime nuk kanë bërë, krime ka bërë Serbia, 1 mijë e 400 fëmijë janë të masakruar, sa gratë, ne nuk kemi qenë ushtria që kemi bë dëm. Kjo nuk është e drejtë, gjithë populli u dënua. Duam drejtësi, jo në emrin tim personal”, theksoi ai.
Më 16 shtator Dhomat e Specializuara të Hagës kanë dënuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me 25 vite u dënuan ish-presidenti Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi. Me 18 vite u dënua Kadri Veseli dhe me 13 vite Rexhep Selimi. /KosovaPress/