UKRAINË – Zelensky i hapur për referendum në vijën e frontit

KIEV, 18 shkurt /ATSH/- Në një intervistë për “Axios”, Zelensky paralajmëroi udhëheqësit amerikanë për rrezikun e imponimit të një zgjidhjeje paqeje që Ukraina do ta refuzonte.
Ai përjashtoi çdo lëshim të mëtejshëm territorial, por sugjeroi që ukrainasit mund të pranonin ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit në një referendum.
Një votim i tillë mund të mbahet së bashku me zgjedhjet presidenciale.
Zelensky hodhi poshtë kërkesat ruse për tërheqjen e trupave ukrainase nga rajonet lindore të Luhanskut dhe Donetskut.
Sipas Zelensky, qeveria e tij ka rënë dakord me SHBA-në se çdo marrëveshje do të kërkojë miratimin e popullit ukrainas në një referendum.
Presidenti ukrainas tha se do të preferonte zgjidhjen e çështjes se territoreve të diskutueshme përmes një samiti të drejtpërdrejtë me Putinin.
“Ai tha se kishte udhëzuar delegacionin e tij të diskutonte këtë çështje në Gjenevë”, raportoi “Axios”.
Ndërsa Kremlini nuk e ka refuzuar plotësisht mundësinë e një samiti, ai ka theksuar nevojën për përgatitjen e duhur dhe nuk ka treguar gatishmëri konkrete për ta çuar atë përpara.
Ukraina i ka rezistuar pushtimit rus me mbështetjen e Perëndimit që nga shkurti i vitit 2022.
Që nga ardhja në detyrë e Trump në janar 2025, Shtëpia e Bardhë është përpjekur të ushtrojë presion mbi të dyja palët drejt një përfundimi të negociuar të luftës. //a.i/