UKRAINË – Zyrtari i lartë: Ukraina nuk është kundër negociatave të Katarit për sigurinë energjetike

KIEV, 4 nëntor /ATSH/- Ukraina nuk do të ishte kundër nëse Katari ose ndonjë vend tjetër do të negocionte një marrëveshje për sigurinë e energjisë përmes bisedimeve të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë, tha sot Andriy Yermak, shefi i shtabit të presidentit Volodymyr Zelensky në një intervistë televizive, sipas “Reuters”.
“Por, aktualisht nuk ekziston një marrëveshje të tillë”, tha ai.
“Ne zhvilluam konferenca për disa tematika – të parat mbi sigurinë e energjisë, të bashkë-organizuara nga Katari”, tha Yermak.
Yermak nuk specifikoi se për cilat marrëveshje mund të bëhej fjalë, por tha se nuk ishte arritur ende një marrëveshje – dhe se Kievi nuk po negocionte drejtpërdrejt me Moskën, e cila filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Zyra presidenciale e Ukrainës tha në fund të gushtit se rreth 40 vende kishin marrë pjesë në një konferencë online – të organizuar nga Katari dhe se tema kryesore ishte përmirësimi i sigurisë së sistemit energjetik të Ukrainës kundër sulmeve ruse.
Konferenca në internet u zhvillua më 22 gusht, menjëherë pasi forcat ukrainase hynë në rajonin e Kurskut të Rusisë në fillim të gushtit.
Që nga marsi, Rusia ka kryer rreth 10 sulme të mëdha raketore në sistemin energjetik të Ukrainës, duke bërë që Ukraina të humbiste pothuajse gjysmën e kapacitetit të saj gjenerues.
“Mbrojtja e objekteve të infrastrukturës energjetike, restaurimi dhe zhvillimi i tyre i shpejtë është mënyra e vetme për të parandaluar thellimin e krizës”, tha Yermak në gusht.
“Financial Times” raportoi në tetor se Ukraina dhe Rusia ishin në fazat e hershme të negociatave për ndalimin e mundshëm të sulmeve ajrore në objektet energjetike të njëra-tjetrës.
Bisedimet – ishin prishur nga forcat e Kievit – pas nisjes së një inkursioni në rajonin e Kurskut të Rusisë që kufizohet me Ukrainën.
Kremlini dhe një burim ukrainas e hodhën poshtë atë raport.//a.i/