E Shtunë, 31 Tetor 2026

ULYSSES ËSHTË SHQIPTAR

Gati të gjitha tragjeditë mund të shpjegohen me dy ose tri fjalë!Ajo çka paraqet bërthamë është situata! Situata në atë kuptim e cila përdoret edhe sot në teatër! Situata paraqet një raport në mes të heroit dhe “botës”, në mes të heroit dhe të “tjerëve”. Situata në tragjedi zhvillohet në kohën e sotme, mirëpo pas vete e ruan të kaluarën e cila në një mënyrë e përcakton dhe të nesërmen e cila e zyrtarizon.

Në “ULYSSES...”Agamemnoni, i cili niset në luftën e Trojës, e le vetëm në Mikenë Klitemnestren. Egjisti, vazali dhe nipi i tij, kthehet nga persekutimi, zapton pushtetin dhe martohet me mbretëreshën. Pas rikthimit të Agamemnonit në shtëpi, vritet nga Egjisti dhe garda e tij. Duhet të kalojnë shtatë vite të rikthehet Oresti e të vritet Egjisti. Karriera e Bekim Fehmiut fillon me “Orestin” me një situatë qendrore e cila do të na ilustrojë zhvillimin e tij në dy dimensione: Në Bekimin debitant dhe Bekimin e famshëm. Për dallim nga epika dhe lirika, situata tragjike na e ndan “Orestin-Bekimin”në dy kohë, në atë çka ishte dhe në atë në çka do të shndërrohet. Sipas mitologjisë, Oresti rikthehet në Mikenë në agim ndërsa me perëndimin e diellit e kryen ‘amanetin’. ‘Rrota’ kosmogonike sillet në vazhdimësi dhe atë në tri kohë, në të kaluarën, në të sotmen dhe të nesërmen. Veprimi tragjik paraqitet në ‘praesens’ që do të thotë së është situatë e zgjedhjes: ‘ose, ose’.

Raporti në mes të ‘Orestit-Bekimit’ dhe ‘botës’ dhe ‘Orestit-Bekimit’ e të ‘tjerëve’ ndoshta mund të na shpjegojë një epilog. Bekimi i famshëm në vitet e nëntëdhjeta sikur filloi ta humb statusin dhe pozicionin shoqëror. Tjetërsimi i tij do të zhvillohet gradualisht mirëpo pa kthim. Bekimi i famshëm do të gjendet në një situatë dhune dhe imponimi. Në situatë pajtimi me fushatën antishqiptare ose me kundërshtim e saj. Pajtimi me ‘fatin’ ose refuzimi... pajtimi me një realitet ku xhelati shndërrohet në viktimë ose refuzimi i këtij realiteti me të gjitha pasojat përcjellëse. Konflikti i Bekimit të famshëm sikur na fliste për dy opozita: Revolta kundër pushtetit të viteve të nëntëdhjeta ose nënshtrimi frikacak ndaj pushtetmbajtësve, sakrifica ose kompromisi... Kjo ishte kohë kur nga Bekimi është kërkuar të harrojë, mirëpo ai do t’i mbajë mend të gjitha! Të gjitha, prej fillimit deri në fund! Kjo situatë refuzimi e cila po ashtu përkujton ’Hamletin’ do imponojë një zgjedhje, zgjedhje në mes të vetëvrasjes dhe hakmarrjes! Kjo zgjedhje, po ashtu është e imponuar nga ‘jashtë’, derisa sistemi moral, etik është rrënuar dhe duhet të rregullohet ose të shkohet nga kjo ‘dynja’! Kjo zgjedhje sikur qëndronte pezull mbi kokën e Bekimit prej vitit 1987, e Bekimi nuk ishte frikacak, në mungesë të urrejtjes do të zgjedh veprimin alternativ! Veprimi-revoltë në mitologji paraqet një shenjë liturgjie dhe ritual i ‘interrexit’ me perëndi!

Edhe tek ‘Oresti’ e edhe tek ‘Ulysses’ (Odiseu), të vdekurit paraqesin obsesion për të gjallët! Ajo çka ndodh paraqet liturgji, ceremoni ose ritual... Vdekja e ‘Ulysses’ dallon nga ajo e Nestorit, për shkak se nuk është e natyrshme, mirëpo është tradicionale e kjo në kohë të lashta nënkuptonte dhunën. Ajo çka mund të jetë determinuese ndoshta për fundin e tij ishte raporti i ngushtë në mes të personazhit letrar dhe figurës aktoreske, një raport shumë i natyrshëm i cili do ta përcjellë deri në vdekje rituale.

Bekim Fehmiu ishte një personalitet i veçantë, i edukuar dhe arsimuar në përvoja të interpretimit modern regjional dhe botëror. Ky personalitet i një karizme të veçantë nuk do të kufizohej vetëm në premisa kombëtare, mirëpo ishte në gjendje të zhvillohej në nivelin universal. Pas Luftës së Dytë Botërore në krye me Bekimin (1953) fillon faktikisht edhe zhvillimi intensiv i teatrit e më vonë edhe kinematografisë kosovare.
Bekimi ishte lajmëtari i fundit i gjeneratës së tretë, i cili ishte në gjendje të krijojë ekspresion skenik në shumë drejtime, për shkak se thjesht nuk kishte zhanër teatror dhe filmik në të cilin nuk do të vepronte në mënyrë kreative. Dëshira për arsimim të vazhdueshëm do të fillojë me role të vogla, role të cilat do të rriten në vazhdimësi deri tek një protagonist konstant. Për zhvillimin e tij si duket ishte shumë e rëndësishme inteligjenca, erudicioni, disiplina, kultura verbale e cila një fytyre antike e cila po ashtu përkujtonte shqiptarët e Sicilisë do t’i mundësonte atij lidhje të shpejtë me regjisorët më të njohur të kohës.

Bekimi si aktor do të zhvillohet në mënyrë rapide duke filluar nga letërsia antike përmes Getes dhe Shekspirit, në fillim si hedonist e më vonë në role komplekse psikologjike, role tipike për mentalitetin e kohës.

Intuita e tij për masë, kuptimi për lëvizjen skenike dhe grumbullimi i përshtypjeve dhe mbresave nga kontaktet jetësore do të na zyrtarizojnë një kreator skenik, i cili ishte në gjendje ta formësojë rolin deri në ndjenjën e fundit. Stili tij nuk ishte stil i një teoreticienti apo historiani, mirëpo shpesh ishte ‘vetëm’ një kreator konkret, mirëpo edhe ekstravagant sidomos ne kinematografi. Një aktor fotozhenik shumë shpejt do t’i adaptohet filmit.

Derisa shumë kolegë të tij shqiptar nuk kishin sukses në film për shkak se edhe para kamerës do të mbesin aktor teatri, Bekimi ishte në gjendje t’i nënshtrohej ligjeve të filmit dhe do bëhet shumë i kërkuar përjashta territorit ballkanik. Roli i tij në filmin “Mbledhësit e puplave” (1967) do të shpërblehet në Festivalin e Cannes duke siguruar një sukses senzacional e të papritur për të si aktor, i cili vinte nga një ‘ishull’ kinematografik!
Derisa shkruaja rreshtat e fundit, në kinemanë “ABC”, mbretëronte një heshtje mortore. Përballë kisha portretin e madh të Bekimit, i cili më shikonte me ngulm!

Për një çast u bëra i vetëdijshëm se shpirti i tij sillet aty në holin e ngushtë të kinemasë e në mesin e shumë roleve të konservuara e renditura në letër. Për heronjtë antik trupi fizik nuk kishte rëndësi parësore. Edhe pse trupi i tyre do të digjej, shpirti i tyre do të fluturonte në përjetësi! Zbrazja e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit sikur më bindi se “Uliksi”(Odiseu) është shqiptar e jo latin apo grek! Floku i ‘Uliksit’ ishte i zi e jo i kuq ashtu si shpjegohet në mit!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›