Një dekoratë edhe për koreografinë shqiptare...
Të sjellësh në kujtesën e kohës një vlerësim për ata që i dhuruan këtij kombi ART nga jeta e tyre është një akt qytetërimi. Pluhurin e harresës së 20 viteve të fundit tranzicion jo vetëm ekonomiko-politik, por edhe atij kulturor e fshiu me një firmë dashamirëse Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, duke dekretuar një vendim: dhënien e titullit Naim Frasheri të artë ish-kërcimtarit-koreograf dhe studiuesit të koreografisë shqiptare z. Dedin Suli. E konsideroj një dekoratë për gjithë koreografinë shqiptare sepse Dedin Suli përfaqëson plejadën e artistëve më të parë të këtij arti. Dedin Suli vjen nga djepi i kulturës sonë, Shkodra, ku kërcimi, kënga dhe humori nuk i kanë munguar ndaj dhe ka nxjerrë talente të shumta. Dedinin e frymëzoi me dashurinë për artin nëna e tij, italiania Serafinë. Në shtëpinë e familjes Suli kultura shkodrane me jaret tradicionale u gërshetuan edhe me kulturën muzikore të kolosëve të muzikës klasike, me operat e Verdit, Donixetit, Shopenit, Moxartit etj… Kompozitori shkodran, Preng Jakova, e çoi peshë shpirtin e artistit të ri duke e inkurajuar dhe e nxitur drejt rrugës së artit e koreografisë në veçanti. Në vitin 1951 Dedin Suli u bë pjesë e Filarmonisë Shqiptare si kërcimtar profesionist. Ky profesion do t’i bëhet një bashkudhëtar i pandarë në formimin artistik. Ai pati fatin të punojë me baletmaestër të tillë si Georg Perkun (Rusi), Panajot Kanaçin (Artist i Popullit), Skënder Selimin (Mjeshtër i Madh) e deri tek Artisti i Popullit, Agron Aliaj etj. Jeta e tij si kërcimtar profesionist që nga viti 1951 zgjati për më shumë se 30 vjet. Këto janë vite të një kontributi për rolet e tij të rëndësishme, episodike apo dhe ato masive të cilat janë të shumta. Gjatë këtyre viteve u zgjua tek ai një ëndërr: ajo e krijimtarisë koreografike. Edhe këtu Dedin Suli ka dhënë një kontribut po aq të madh. Koncertet e majit ishin një test për krijimtarinë skenike ku koreografet më të mirë vinin në garë jo vetëm profesionistet, por edhe lëvizjen amatore në fushën artistike të këngës e të koreografisë. Koreografi Dedin Suli ka kontribuar në zhvillimin e këtij arti duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për meritat e tij si koreograf në vitin 1970 është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” të klasit të dytë me motivacionin: “për një krijimtari cilësore në fushën koreografike shqiptare”. Në krah të punës së tij ishin kompozitorët më të mirë të asaj kohe: çesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Agim Krajka etj. Numrat më të mirë koreografikë të tij kanë përfaqësuar Shqipërinë në skenat ndërkombëtare. Realiteti i hidhur shqiptar i viteve ‘90 e brengosi shpirtin e artistit dhe e detyroi të largohej drejt Italisë. Ky vend u bë burim frymëzimi. Skenat e Romës dhe Milanos parë nga syri i spektatorit e mahnitën me bukurinë e artit. Kontaktet me artistë të baletit italian i dhanë atij frymëzim për të nisur një rrugë të re. Padova i dha qetësinë e frymëzimin për të hedhur në letër të gjitha ëndrrat e tij në koreografi. Në vitet 2004-2005 pas disa artikujve në media jo vetëm shqiptare, por dhe italiane, hedh në botim librat për Besim Zekthin me titull “Korifeu i vallëzimit shqiptar”, si dhe librin tjetër monografik për figurën e Agron Aliajt me titull “Artisti që thuri legjendë”. Në fushën studimore Dedin Suli pritet së shpejti të sjellë para lexueseve një libër voluminoz me titullin “Historiografia e Artit Koreografik Shqiptar”.
Shpëtim Dajçi
Pedagog-koreograf