E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota nuk ishte e gatshme për një burrë aq të sinqertë

"Njeriu këndon pas luftës. Unë kam shkelur në gjak deri në gju, e ëndrra më nuk kam. Motra më është shitur, nënës flokët e thinjura ia kanë prerë. Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire e të baltosur. Unë jam i etshëm për ajër, qumësht dhe pakëz vesë të bardhë të mëngjesit", ka shkruar Bekim Fehmiu në letrën e tij para se të vdiste.

Në Kinemanë ABC të hënë u mbajt mbledhje komemorative kushtuar punës dhe përkushtimit të aktorit me nam botërore Bekim Fehmiu, i cili nga të pranishëm u vlerësua si njëri nga artistët më të madhej, dhe se bota nuk ishte e gatshme për një burrë aq të sinqertë dhe të rreptë, siç ishte Bekim Fehmiu.

Aktroi nga Shkupi, Bajrush Mjaku tha se Fehmiu aktrimit ia kushtoi gjithë jetën e tij, duke punuar më një përkushtim, kurse sipas tij, edhe pse Fehmiu nuk është prezent më në mesin tonë, vepra e tij do të jetojë përgjithmonë.

Mjaku, i cili ishte mik i Bekimit, tha se ai aktrimin nuk e kishte profesion, por mision jetësor dhe kështu jetoi deri në çastet e fundit të jetës tij.

“Ashtu edhe u largua nga kjo bote në një mënyrë dramatike, siç edhe ishte mësoni i tij që të na trondit dhe ndoshta edhe të na zgjojë nga një gjumë, që e ka kapluar shoqërinë tonë, kur është fjala për vlerat e kombit. Në kohën kur në ish-Jugosllavi të jesh shqiptar ishte vërtet çështje, pasi barrierat ishin të shumta, Bekimi i tejkaloi ato në tjetra dimensione, e tejkaloi perden e hekur që ndante Botën në Lindje në Perëndim, dhe atë vetëm fal talentit dhe punë së tij. E la vulën e tij në shumë e shumë vepra ndërkombëtare komografike që edhe aktorët e perëndimit nuk mund të ëndërrojnë”, tha ai.

Ndërsa në emër të artistëve të Kosovës, foli Blerim Gjoci, i cili tha se në një kupolë të vogël të po kësaj kinemaje, çdo verë vinte një nga bijtë më të shkëlqyer të këtij kombi, që më punë dhe talent brilant e mahniti botën.

“Unë mendoj se bota nuk ishte e gatshme për një burrë aq të sinqertë dhe të rreptë, një aktor që ishte vullkan ndjenjash, një burrë që ende po-në e kishte po dhe jo-në e kishte jo, virtyt ky i rrallë, sidomos sot. Një burrë me një memorie të shkëlqyeshme që nga ditët e rinisë dhe nga gjithë opusi i rinisë i njohurive të tij. Në këtë Kino “ABC”, gjeti miqësinë, po gjeti edhe gjirin ku do të hidhte spirancën. Këtu takonte miqtë po edhe kureshtarët, artistët e rinj, shkrimtarët, piktorët. Nuk kursente asnjëherë veten nëse ne artistët kërkonim këshillë”, vlerësoi Gjoci.

Ai theksoi se Bekimi në jetë mori shumë vendime, të cilat ne të vdekshmit e zakonshëm ndoshta s’do t’i kuptojmë kurrë, sado të çuditshme të kenë qenë ato.

Në emër të familjes, djali i Bekim Fehmiut, Uliks Fehmiu, lexoi letrën e babait të tij të lënë testament në dhomën e tij para së të vritej.

“Njeriu këndon pas luftës. Unë Kam shkelur në gjak deri në gju, e ëndrra më nuk kam. Motra më është shitur, nënës flokët e thinjura ia kanë prerë. Unë nuk kërkoj hise në këtë botë lavire e të baltosur. Unë jam i etshëm për ajër, qumësht dhe pakëz vesë të bardhë të mëngjesit. Unë kam qeshur në gjak deri në gju, e nuk kam pyetur pse?! Vëllanë armik të mallkuar e kam quajtur dhe jam hedhur në errësirë përpara duke klithur, e atëherë edhe Zoti, edhe njeriu, edhe istikami fluturojnë në ferr”, janë disa nga fjalët e shkruar nga Bekim Fehmiu.

Ndërkaq Branka Petriç, gruaja e të ndjerit Fehmiu, tha se ndjehet keq që masës së tubuar nuk mund t’i drejtohet në gjuhën e burrit të saj.

“Unë i ndihmova atij që të mësojë italishten, anglishten e gjuhë të tjera, por kurrsesi nuk u bë që unë ta mësoj gjuhën shqipe, vetëm dua të them se ne të dy i kaluam bashkë 40 vjet, shumë dashuri nga fillimi deri ne fund”, tha Petriç.

Aktori i madh shqiptar më famë botërore, Bekim Fehmiu, ka ndërruar jetë një javë më parë, pasi kishte qëlluar vetën me revole.

Ai kishte lënë amanet që të digjej trupi i tij dhe hiri i mbetur të hidhej në Lumëbardhin e Prizrenit, ku edhe është hedhur dje herët në mëngjes. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›